Pa dyshim që trupi i njeriut qenka një strukturë tejet komplekse, fryt befasues i një inxhinierie–natyrore, hyjnore apo rastësore, pak rëndësi ka– që mbart tiparet e një mrekullie të vërtetë, qoftë nga pikëpamja anatomike, qoftë nga kënd- vështrimi fiziologjik, qoftë për sa i përket funksionimit të siste- mit nervor apo qarkullimit të gjakut etj., etj. Nga ana tjetër, vërehet se organet e shqisave janë të pakta në numër.
Vetëm dy sy, dy veshë, një hundë (me dy vrima gjithsesi), një gojë (me një gjuhë e 32 dhëmbë, gjithsesi), dy duar (me nga pesë gishtërinj, gjithsesi), ndërkohë që rrugët e frymëmarrjes, aparati tretës dhe ai gjenitalo-urinar gjithashtu nuk kanë shumësi organesh. Së fundi, mund të thuhet përmbledhtas se trupi i njeriut disa organe i ka të paktë ose të shumtë në numër, disa shumë të rëndësishëm ose më pak të rëndësishëm, disa të fortë ose të brishtë, disa që i qëndrojnë kohës ose që atrofizohen me kalimin e saj.
Meqë rreth 90 për qind të informacionit njeriu i kohëve tona moderne i merr ditë e natë përmes syve, shqisa e të parit ka për atë një rëndësi krejt të veçantë, prandaj, siç e dëshmon më së miri “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” i Jani Thomait (Botimet EDFA, Tiranë, 2010), në gjuhën tonë ekzistojnë mbi dyqind shprehje të tilla që kanë për bërthamë fjalën “sy”, ndër të cilat “ruaj diçka si sytë e ballit” ose “e kam diçka si dritën e syve” në kuptimin “e kam shumë të shtrenjtë, të vyer apo të çmuar”.
Megjithatë, sot kam zgjedhur të komentoj për lexueset e lexuesit e mi seriozë e të vëmendshëm një tjetër shprehje ose, më saktë, proverbin “Më mirë të të dalë syri sesa nami (i keq)”. Sipas këtij proverbi, rezulton se emri i keq ose fama e neveritshme është diçka aq e dëmshme, saqë ia vlen më mirë të verbohesh sesa të turpërohesh.
Mirëpo, realiteti i sotëm shqiptar po tregon përherë e më tepër se ky proverb po zhvleftësohet me një shpejtësi marramendëse kryesisht, sidomos e në veçanti këto vitet e fundit në këtë epokë oligarkësh, mafiozësh, narkotrafikantësh, në këtë epokë krize të vlerave humaniste, rrënimi ekonomik, padrejtësish shoqërore, katastrofash ekologjike dhe shpërfytyrimi shpirtëror të njeriut në përgjithësi dhe të atij homo albanicus në veçanti si specie e llahtarshme e tokës arbërore.
Përse po zhvleftësohet ky proverb? Thjesht fare sepse po përdoret një proverb i ri: “Çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë”, çka do të thotë se kur një politikan, një qeveritar, një kryetar bashkie kapet me duart, jo më në presh, por në oturakun apo, më saktë, në halenë e korrupsionit, shtypi dhe opinioni publik e harron atë shumë shpejt, aq të përditshme janë bërë trimëritë e herkulëve tanë në pushtet. Atyre u del sigurisht nami, por nuk u hyn gjemb në këmbë et aq më pak në by…rek, kështu që, si pasojë, ata nuk shqetësohen fare për çka thotë bota.
Nga ana tjetër, për sa u takon pushtetarëve tanë, si atyre të strukturave qendrore, ashtu edhe atyre të strukturave vendore, dy termat antagonikë të proverbit “Më mirë të të dalë syri sesa nami (i keq)”, pra, fjalët “syri” dhe “nami”, kanë ndërruar përfundimisht vendet me njëri-tjetrin dhe proverbi në fjalë ka bërë mutacion, duke u paraqitur tashmë në trajtën “Më mirë të të dalë nami (i keq) sesa syri”.
Kjo, për dy arsye: Së pari, sepse po të të dalë syri, të bësh transplant syri kushton jo vetëm qimet e kokës, por edhe ato të të gjithë trupit, sidomos nga mesi e poshtë, ndërsa po të të dalë nami, ai do të harrohet, siç sapo e thamë, vetëm pas tri ditësh. Së dyti, sepse duke u ndierë të sigurt, pushtetarët tanë, me qëndrimin e tyre mospërfillës, sfidojnë opinionin publik duke i lënë atij të nënkuptojë se edhe po të jenë të korruptuar e të lidhur me krimin, atyre aq u bën që përfliten qoftë në mediat elektronike, qoftë edhe në rrjetet sociale. Madje, ata nuk e çajnë as kar…rigen e as by…rekun e tyre, ngaqë ndihen të mbrojtur e të pandëshkueshëm; kjo shpjegon, pra, përse mutacioni i proverbit në fjalë bie gjithsesi erë jo vetëm për shkak të tri shkronja të tij të para.
Së fundi, por jo më së paku, dëshiroj vërtet t’u jap analistëve tanë të ndershëm e guximtarë këshillën që vijon: Mos e cilësoni më Kryeministrin Rama as si sulltan, as si monark, as si despot, as si satrap, as si diktator, as si faraon, as si perandor dhe as si perëndi, sepse do t’ia miklonit sedrën deri në atë pikë, saqë ai të lumturohej nga ideja e madhështisë, të lumturohej dhe të dilte nga bunkeri i Surrelit, t’i ngjitej malit të Dajtit olimpik dhe t’i mbushej mendja se është Zeusi i vërtetë, ai që të bën namin qoftë edhe për një të shkelur syri.
Po të ndodhte kështu, atëherë, vërtet, ne shqiptarët e sotëm, do të bindeshim plotësisht se është shumë më mirë të na dalë nami sesa syri. Jam i sigurt se sytë do ta pranonin me qejf të jashtëzakonshëm që njeriut t’i dilte çdolloj nami, vetëm kështu ai nuk do të verbohej pa kthim; madje, edhe çdo organ tjetër i trupit të njeriut, jo vetëm nga mesi e lart, por edhe nga mesi e poshtë, do ta mbështeste metamorfozën e proverbit në fjalë, ndryshe do të mjaftonte që dikujt – qoftë ky edhe Kryeministër apo President republike – t’i dilte ndonjë nam i keq disa herë në vit dhe shumë nga organet e tij jetike të zhdukeshin pa nam e pa nishan.