Kam bërë në çdo hap të punës sime gjënë e duhur. Kështu deklaroi sot ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri teksa doli nga GJKKO pas seancës prej disa orësh ku u paraqit mbrojtja për akuzat që ka ngritur ndaj tij prokuroria.
Tahiri tha se e ka bërë detyrën e tij shumë më mirë nga ata që kanë qenë dhe ata që janë.
“Besoj tek drejtësia po nuk ka shumë rëndësi për mua nëse kjo drejtësi do të vijë nga gjykata apo është drejtësia që besoj unë rëndësi ka që para çdo qytetari, para fëmijëve të mi jam super i bindur që kam bërë në çdo hap të punës sime gjënë e duhur. E kam bërë detyrën shumë më mirë nga ata që ishin dhe ata që janë”, deklaroi Tahiri.
I pyetur a do rikthehet në politikë, Tahiri tha se nuk ka ikur dhe se nuk e tundon politika.
“Saimir Tahiri nuk ka ikur. Kjo historia e politikës nuk më tundon siç nuk më ka tunduar në momentin që ika nga deputet për t’u përballur me drejtësinë. Kur nuk më ka tunduar, detyra si deputet sigurisht që nuk e bën dot ti”, u shpreh ish-ministri.