Duket se Italia po rimëkëmbet pas pasojave të mëdha që pati nga koronavirusi dhe mund të themi se periudha e errët e COVID-19 në këtë shtet është lënë pas.
Shifrat e lartë të infektimeve dhe viktimave po ia lënë vendin shifrave “normale”, që tregojnë se Lombardia po del nga “makthi” që e kishte pushtuar.
Përdorimi i maskës dhe distancimi social mbeten ende të detyrueshme, por virologu Fausto Baldanti vëren se pacientët që i kanë kaluar simptomat nuk janë më ngjitës.
“E kemi zbuluar këtë nga analizat e bëra kampioneve të marra nga 280 tamponë, dhe pamë se nuk është më në gjendje të infektojë qelizat përveçse në një minimum prej 3% të rasteve”, shpjegon ai.
Kjo është hera e parë që arrihet në një përfundim të tillë në Itali, ndaj nëse ky studim pranohet nga Instituti Superior i Shëndetësisë, atëherë më shumë se 15 mijë të shëruar në Lombardi mund t’i kthehen punës normale.
Mjeku infeksionist Matteo Basetti është shprehur më herët se në fillimet e tij virusi ngjasonte me një “tigër”, por tashmë është “zbutur”, duke u kthyer në një “mace të egër”.
Ai thotë se koronavirusi mund të zhduket vetë dhe mund të mos ketë nevojë për zhvillimin e një vaksine.