MENU
klinika

Pas akt-akuzës nga Gjykata e Hagës

Thaçi anulon vizitën në Uashington, takimi për dialogun Kosovë-Serbi mes Vuçiç e Hotit

24.06.2020 - 17:42

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka anuluar fluturimin drejt Uashingtonit ku do të merrte pjesë në dialogun Kosovë-Serbi, pas akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale për krime lufte.

Lajmin e bën me dije i dërguari special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, i cili thotë se është njoftuar nga Thaçi për anulimin e vizitës.

Akuzat ndaj presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, vijnë vetëm një ditë para takimit në Uashington.

Grenell thotë se tashmë takimi për dialogun Kosovë-Serbi do të mbahet me prezencën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të ri të Kosovës, Avdullah Hoti.

“Presidenti i Kosovës sapo na ka informuar se ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington, D.C pas njoftimit të bërë nga Zyra e Prokurorëve Specialë.

Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime derisa çështjet ligjore të atyre pretendimeve të zgjidhen,” thotë Grenell.

“Ne mezi presim diskutimet e së shtunës të cilat do të drejtohen nga Presidenti Vucic dhe Kryeministri Hoti,” vijon Grenel.