Viti që lam pas shënon rekordin e pensioneve të mbyllura në 4 vitet e fundit, çka është një tjetër fakt që tregon se popullsia shqiptare po plaket, duke bërë që çdo vit numri i pensionistëve të rinj të rritet dhe po ashtu i atyre që humbasin jetën. Kështu, sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, gjatë vitit 2019, në total 13,389 pensionistë kanë humbur jetën, shifër kjo e cila ka ardhur në rritje progresive që nga viti 2016.
Numrin më të lartë e përbëjnë meshkujt me 7,320 pensione të mbyllura dhe më pak femrat me 6,069. Referuar raportit të ISSH-së, koha mesatare e gëzimit të pensionit për burrat është 19.8 vite për shkak se dalin më vonë në pension dhe kanë moshë më të re vdekshmërie. Ndërsa gratë arrijnë ta gëzojnë pensionin mesatarisht 26.4 vite, për shkak të jetëgjatësisë më të lartë si dhe moshës më të ulët të daljes në pension.
Ajo që vihet re është se pensionistët në zonat rurale arrijnë ta gëzojnë më gjatë pensionin e tyre. Gjatë vitit që lam pas janë lidhur 26,345 pensione të reja pleqërie aktualisht në të gjithë vendin gëzojnë pensionin 529 mijë të moshuar.