Ndryshe nga futbolli, volejbolli shqiptar ka mbyllur sezonin, duke dhënë verdiktet në tavolinë. Vetë FSHV ka njoftuar për mbylljen e sezonit jo në parket. Kjo e ndikuar nga mosdhënia e dritës jeshile nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
NJOFTIMI I FSHV
“Në vijim të situatës së pandryshuar për shkak të COVID-19 e duke qenë se deri më sot është akoma në fuqi Urdhëri i MSHMS, Nr.326, Datë 15/05/2020, “Për kufizimin e aktiviteteve sportive në sallat e mbyllura”, si dhe në respekt të skadencës së vendosur nga Asambleja e 31-të e FSHV-së për datën 23 qershor 2020, Komiteti Ekzekutiv vendosi ta konsiderojë zyrtarisht të përfunduar sezonin sportiv 2019-2020 e duke u bazuar në klasifikimet, shpall fituesit për femra, meshkuj, U-21 e U-20 si më poshtë:
1.Mirdita, fitues te femra A1;
2.Agritourism Huqi, fitues te femra A2;
3.Erzeni, fitues te meshkuj A1;
4.Skënderbeu, fitues tek U-20 (të reja);
5.Farka Volley, fitues tek U-21 (të rinj).
Duke iu referuar klasifikimeve në momentin e ndërprerjes për kategoritë përkatëse, femra e meshkuj, Komiteti Ekzekutiv vendosi gjithashtu që ekipet fitues, së bashku me ekipet e tjera, si edhe me fituesit e Kupës së Shqiperise do të kenë të drejtën të marrin pjesë në Kupat e Evropës, sipas rregullave dhe kuotave të percaktuara nga CEV-i.
Ekipet të cilat dëshirojnë të marrin pjesë në Kupat e Evropës, duhet të shprehin interesin e tyre dhe të dorëzojnë e dokumentacionin e plotë pranë Sekretariatit të FSHV-së brenda datës 15 korrik 2020. Duke shpresuar që kjo situatë pandemie të mos përsëritet më kurrë, ju urojmë shëndet e suksese në sezonin e ardhshëm!”