Pasi u miratua në parim gjatë paradites amendamenti me 15 kushtet për Shqipërinë, Parlamenti Europian shpalli mbrëmë vonë rezultatet e votimeve në tërësi për vendimet e tij, ku bën pjesë dhe rezoluta “Ballkani Perëndimor”.
Pjesë e kësaj rezolute bëjnë edhe fakti se Shqipëria duhet të përmbushë këto detyra shtëpie. Mësohet se rezoluta mori edhe më shumë vota, sesa kur u miratua në parim. Nga 388 vota, rezoluta kaloi me 532 vota pro, 70 vota kundra dhe 63 abstenime. Shumica prej 76% tregon një konsensus të gjerë në Parlamentin Europian për zgjerimin në Ballkan. Kushtet u vendosën nga Këshilli Europian me propozimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës dhe Spanjës në mars të këtij viti.
Më poshtë po ju paraqesim kushtet;
Plani me 15 pika i Integrimit:
1- Miratimi i reformës zgjedhore
2- Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese
3- Funksionimi i Gjykatës së Lartë
4- Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK
5- Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar
6- Ulje e numrit të azilkërkuesve, ku një nga masat është bashkëpunimi me Hollandën, Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Irlandën. Vazhdimi i Zbatimit të Planit Ndërinstitutcional të Veprimit për parandalimin e azilkërkimit të qytetarëve shqiptarë në vendet e Schengenit
7- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias
8- Vazhdimi i Reformës në Drejtësi
9- Prova të vazhdueshme – Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.
10- Progres në reformën e administratës publike.
11- Zbatimi i reformës zgjedhore ku përfshihen, financimi transparent i partive dhe administrimi i paanshëm i procesit dhe procesi i rregullt.
12- Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 që kërkon plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.
13- Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare ku janë disa VKM.
14- Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit
15- Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave