Kuvendi i Kosovës është përfshirë në një debat të gjerë lidhur me krijimin e qeverisë së re dhe rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi.
Vetëvendosja menjëherë ka sulmuar qeverinë e LDK me koalicionin duke paralajmëruar edhe një mocion mosbesimi.
“Ndoshta kjo qeveri do ta fitojë shumicën, por mos e merrni të drejtën të flisni në emër të sovranit sepse sovrani votoi diçka tjetër. Në të mirë të qytetarëve është vendi të shkojë në zgjedhje, kjo qeveri të shkojë në shtëpi. Nëse PDK dëshiron të punojë në interes të vendit e kanë të lehtë, e nënshkruajnë mocionin e mosbesimit”,- tha Mimoza Kusari- Lila e LVV.
Por mocioni i mosbesimit nuk ka gjetur përkrahje nga partia më e madhe opozitare PDK, pasi deputeti Memli Krasniqi tha se është e pandershme që LVV të flasë për mocion mosbesimi në kohën e pandemisë kur vetë në qeveri akuzontë partitë e tjera për rrëzimin e saj.
“VV e Mimoza kanë derdhë lotë krokodili me fjalë se qysh po e rrëzoni qeverinë në kohë të pandemisë. Nuk ka mocion mosbesimi, ne nuk jemi të informum. LDK pa na vetë neve ka inicu mocion mosbesimi. Na kemi votu kundër kësaj qeveria, kjo qeveri ka me ra kur ti vjen koha. Nuk mundem me e paragjyku, por mocion nuk ka, Kur ta nisni një mocion do të merrni përgjigje meritore edhe nga PDK. Por çka po ndryshon lidhur me pandeminë”, u shpreh Krasniqi i PDK.