Janë zbardhur tashmë amendamentet e reformës zgjedhore. Bëhet fjalë për ndryshimet në kodin zgjedhor pas dakordësimit të arritur në Këshillin Politik mes maxhorancës dhe opozitës.
Sipas tyre, rganet drejtuese të KQZ-së janë:
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve;
Komisioni Rregullator; dhe
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (nënkomisioneri) zgjidhet nga Kuvendi për një periudhë 7-vjeçare me detyrën për të monitoruar dhe mbikëqyrur implementimin e teknologjisë për identifikimin biometrik dhe rekrutimin dhe trainimin e zyrtarëve zgjedhorë.
Nënkomisioneri bashkë ushtron me të drejta të barabarta me komisionerin kompetencat për përzgjedhjen, monitorimin dhe zbatimin e teknologjisë për identifikimin biometrik të zgjedhësve.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 9-vjeçar, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.
Sipas përcaktimeve, kanë të drejtë të kandidojnë ose të propozohen për anëtar të KAS-it, shtetasit shqiptarë që vijnë nga radhët e ish gjyqtarëve, ish anëtarëve të KQZ-së, ose të ish nëpunësve të nivelit të lartë drejtues.
Përzgjedhja e anëtarit të KAS-it bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit lidhur me suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3 vjeçare veprimtarie.
Personi që kandidon ose që propozohet për anëtar të KAS-it nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen, nëse në momentin e kandidimit ka qenë në ushtrim të funksioneve si gjyqtar, anëtar i KQZ-së ose nëpunës i nivelit të lartë drejtues, ose kur komisioni përgjegjës i Kuvendit krijon bindjen se marrëdhënien e tij të punës e ka ndërprerë për shkak të kandidimit ose propozimit për komisioner.
Personi që kandidon ose që propozohet për anëtar të KAS-it nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen nga Kuvendi, nëse është anëtar aktiv i ndonjë partie politike, ose nëse ka interesa të dukshme ose të njohura, plotësimi i të cilave varet nga qeverisja në nivel qendror ose vendor.
Mënyra e funksionimit të KAS-it dhe procedurat e shqyrtimit të çështjeve përcaktohet në rregulloren e seancave të KAS-it.
Kompetencat e KQZ-së lidhur me teknologjinë në zgjedhje
KQZ-ja ka të drejtë të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin në zgjedhje të sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit, për të mbuluar aspekte dhe/ose procedura të vecanta të procesit zgjedhor, si dhe ka të drejtë të prokurojë sisteme apo pajisje të teknologjisë së informacionit apo edhe shërbimin e operimit të tyre. KQZ është e detyruar që përdorimin e sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit ta zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot, në jo më pak se 10 përqind të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimit.
KQZ-ja ka të drejtë të instalojë dhe përdorë sisteme video-monitorimi në qendrat e votimit, si dhe kur bëhet numërimi manual i votave, në VNV-të, për të monitoruar dhe provuar rregullshmërinë e procesit në mjediset e brendshme të tyre. Sistemi i video-monitorimit nuk mund të instalohet në qendrat e votimit në mënyrë të tillë që të cënojë ose të rrezikojë kryerjen në fshehtësi të votimit. Nëse nuk e kryen vetë, KQZ-ja ka të drejtë të prokurojë instalimin ose edhe operimin e sistemit të video-monitorimit.
Përdorimi i sistemeve ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit bëhet në përputhje me rregullat e posaçme lidhur me procedurat për aspektet e veçanta të procesit që mbulohen nga sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit. Rregullat proceduriale për këtë qëllim miratohen me akt normativ të KQZ-së.
Sistemet ose pajisjet e teknologjisë së informacionit që KQZ-ja vendos të përdoren në zgjedhje duhet të synojnë, në radhë të parë, identifikimin biometrik të votuesve, votimin me dhe nëpërmjet pajisjeve elektronike, si dhe numërimin nga pajisjet të votave të hedhura, si dhe të jenë të aplikueshme për së paku pesë procese zgjedhorë të njëpasnjëshëm.
Identifikimi, përzgjedhja dhe përdorimi i sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit i nënshtrohen parimeve të ligjshmërisë, transparencës, gjithëpërfshirjes, sigurisë, efikasitetit dhe qendrueshmërisë.
Përpara çdo procesi zgjedhor, sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit duhet t’i nënshtrohen testimit operacional nga KQZ-ja, në seanca publike dhe me procedurë të saktë dhe të detajuar, duke përzgjedhur, me kriter rastësor për secilën zonë zgjedhore, jo më pak se tri për qind të pajisjeve që do përdoren dhe duke simuluar me to veprimet operacionale zgjedhore, për një numër jo më të vogël se 50 votues.
Pas çdo procesi zgjedhor, pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe konstituimit të organeve të zgjedhura, KQZ-ja kryen, në seanca publike dhe me procedurë të detajuar verifikimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë informatike që janë përdorur për votimin dhe numërimin e votave në zgjedhje, nëpërmjet numërimit manual të jo më pak se 10 për qind të qendrave të votimit dhe krahasimit të rezultatit me rezultatin e nxjerrë nga sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit. Qendrat e votimit përzgjidhen nga KQZ-ja me kriter rastësor për secilën zonë zgjedhore.
Rezultatet e testimit parazgjedhor dhe të verifikimit paszgjedhor të sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit kushtëzojnë vendimmarrjen e KQZ-së për përdorimin në vijim të teknologjisë. Ato nuk mund të jenë bazë në vetvete, dhe as nuk mund të shërbejnë qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, për ankimimin, kundërshtimin, mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve, apo për anullimin, heqjen, shfuqizimin apo ndërprerjen e mandatit të fituar nga zgjedhjet, për cilindo subjekt, person të interesuar apo institucion që kërkon të ndërmarrë hapa ligjore në këtë drejtim. Rezultatet e testimit parazgjedhor dhe të verifikimit paszgjedhor mund të bëhen objekt i hetimit për kryerje të veprës penale nëse nxjerrin të dhëna dhe krijojnë dyshime për kryerjen e veprave penale, nëpërmjet keqpërdorimit të sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit në zgjedhje.
Procedura për futjen e teknologjisë në zgjedhje dhe vendimmarrja
Sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit në zgjedhje vihen në përdorim nga personel i kualifikuar i KQZ-së, i punësuar për këtë qëllim, përveçse kur Rregullatori vendos që përdorimi i tyre të bëhet nga operatorë privatë të kontraktuar sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin e shërbimeve. Prokurimi i shërbimit mund të jetë pjesë e kontratës për prokurimin e sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit dhe mund të kryhet edhe nga furnizuesi i këtyre të fundit.
Përdorimi i sistemeve ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit kryhet në përputhje me rregulloren teknike të përdorimit, e cila, përveç rregullave që burojnë nga manuali i përdorimit, duhet të përfshijë rregullat për testimin parazgjedhor, për dokumentimin e procedurave operacionale, për konstatimin dhe raportimin e defekteve, shkeljeve apo dhunimeve gjatë operimit, për pezullimin e operacioneve me dhe nëpërmjet sistemeve apo pajisjeve dhe kryerjen e procedurave manualisht, si dhe për përmbylljen e veprimeve operacionale me dhe nëpërmjet sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit dhe raportimin e rezultateve. Rregullorja teknike e përdorimit të sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë informatike miratohet me akt normativ të KQZ-së.
Në rastet kur nga testimi parazgjedhor rezulton se sistemet apo pajisjet shfaqin defekte apo pasaktësi operacionale, të cilat mund të cenojnë integritetin e tyre apo të procedurave, atëherë KQZ-ja mund të vendosë zbatimin e procedurave manualisht dhe të heqë sistemet apo pajisjet nga përdorimi në zgjedhjet e radhës.
Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë vendit.
KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë.
Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij ligji.
KQZ-ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.
Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së.
Procedura e votimit nga jashtë vendit
Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj.
Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit ose, sipas rastit, dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë më në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur më pas. Nëse votimi nga jashtë vendit bëhet elektronik, sistemi elektronik i votimit mbyllet në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit.
Rregullat për administrimin e materialit zgjedhor ose të informacionit të votimit, të regjistruar dhe ruajtur nga sistemet e teknologjisë informatike, për votimin nga jashtë vendit, si dhe për testimin parazgjedhor dhe verifikimin paszgjedhor të sistemeve, janë pjesë e rregullave të përgjithshme që KQZ-ja miraton për administrimin e materialit zgjedhor apo për përdorimin e sistemeve të teknologjisë informatike në zgjedhje. Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materiali zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim nuk mund të jenë më të ulta se sa ato për votimin brenda vendit.