Ekspertët pranë Këshillit Politik kanë përkthyer në amendamente zgjedhore marrëveshjen politike për reformën zgjedhore. Drafti do të shqyrtohet nga anëtarët e Këshillit politik e më pas do t’i përcillet për miratim komisionit të posaçëm.
Por çfarë kanë propozuar ekspertët për kodin e ri elektoral? Në këtë dokument që Euronews Albania po publikon janë të gjitha amendamentet zgjedhore që trajtojnë çështje që nga hapja e kutive e deri tek kuotat gjinore.
Për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme do të ketë sanksione të forta sa i takon kuotave gjinore. Në ligj është parashikuar refuzimi i regjistrimit të kandidatëve të partive nëse nuk është respektuar kuota prej 30% të gjinisë më pak të përfaqësuar.
Përsa i përket financimit, është parashikuar që kompanitë që financojnë fushata partish ose kandidatësh përjashtohen për tre vite nga tenderët publike me vlere mbi 10 milionë lekë, gjithashtu subjektet juridike që kanë përfituar tendera përgjatë tre viteve të fundit nuk mund të financojnë as partitë as kandidatët.
Një ndryshim që i është bërë draftit të parë është edhe mandati i nënkomisionerit zgjedhor i cili me ligj propozohet nga opozita. Fillimisht ishte propozuar që nënkomisioneri zgjedhor kishte një mandat sa komisioneri, 7 vite, por në dokumentin final është përcaktuar që ai të ketë një mandat 4 vjeçar.
Një pikë tjetër që trajton kodi i ri elektoral është edhe mundësia për hapjen e kutive pas përfundimit të numërimit.
Por, edhe ky dokument ka ende disa çështje të hapura siç është përjashtimi i transmetimit në media të materialeve filmike të përgatitura nga partitë politike e njohur që nga vitit 2011 si fushata me kaseta.