MENU
klinika

Përzgjedhja e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie

Zbardhet propozimi i Bashës në mbledhjen e Kryesisë

07.06.2020 - 10:53

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i propozoi sot kryesisë së forcës më të madhe të opozitës nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit te kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore.

Vendimi i Bashës është një risi për politikën, pasi për herë të parë kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie do të kenë votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Përfshirja e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve politikë të PD është një detyrim që u përfshi në statutin e PD me kërkesë të kreut të opozitës, si konkretizim i premtimit të tij se ai nuk do të bënte më kurrë i vetëm listën e kandidatëve për deputetë apo për kryetarë bashkie.

PD po zbaton parimin “një anëtar, një votë” për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Ky proces pritet të nisë nga 20 qershori deri në 15 shtator, duke e mbajtur të angazhuar në maksimum bazën e Partisë Demokratike.