Miratimi i marrëveshjes së reformës zgjedhore të dakordësuar mbrëmjen e 5 qershorit mes PS dhe PD-LSI falë ndërmjetësimit të ambasadës amerikane dhe delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, duket se është në rrezik. Prej disa ditësh në media dhe në korridoret e politikës ka zëra se kalimi në Parlament i marrëveshjes do të jetë një rrugë e përpjetë, për shkak se opozita parlamentare ka paralajmëruar votën kundër, edhe pse firmosja e saj u vlerësua si një “sukses politik” dhe u përshëndet nga faktori ndërkombëtar.
Vetë mazhoranca nuk i ka kartonët për ta kaluar këtë draft në Kuvend, ç’ka ka detyruar kryeministrin Edi Rama të zhvillojë një takim me drejtuesit e opozitës parlamentare, të cilët kundërshtojnë marrëveshjen e arritur mes socialistëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim javën e shkuar. Takimi i Ramës ndodhi dy ditë më parë dhe kishte për qëllim pikërisht gjetjen e gjuhës së përbashkët. Por shefi i qeverisë nuk arriti mbrëmjen e së mërkurës të gjente një kompromis për reformën zgjedhore, ndërkohë që gazeta ka mësuar disa detaje nga ky takim.
Rama ja u lë në dorë deputetëve të vendosin
Burime të sigurta nga ky takim pohuan se mbledhja mes kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të opozitës ishte pozitive, ndërsa shefi i qeverisë ka garantuar përfaqësuesit e minorancës parlamentare se nuk do të fusë duart dhe të bëjë lëvizje për t’i bindur ata që të votojnë pro marrëveshjes së dakordësuar në 5 qershor për reformën zgjedhore përmes pazareve. Në këtë kontest, mësohet se zoti Rama iu ka lënë në dorë deputetëve të opozitës së re nëse do ta votojnë apo jo paktin për këtë reformës. Po ashtu, mësohet se gjatë bisedës, i pari i qeverisë shqiptare ishte treguar realist, ndërsa është shprehur se marrëveshja nuk është asgjë dhe se nuk quhet reformë.
Madje, sikundër theksuan të njëjtët burime, mësohet se kryeministri Rama është shprehur se mirëkuptonte qëndrimin e deputetëve të opozitës parlamentare, të cilët sipas tij, gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë absolutisht të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë Parlamentit për Parlamentin. Pra, të gjitha këto tregojnë se miratimi i reformës zgjedhore është ende në rrezik, pavarësisht përpjekjes së palëve për të bindur opozitën parlamentare dhe për faktin se zoti Rama ja u ka lënë në dorë deputetëve të vendosin. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Rama rrëzon zërat për trafikim votash
Megjithatë, pas takimit të mbrëmjes së të mërkurës, kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj akuzave të formuluara nga përfaqësuesit e opozitës parlamentare për përpjekje për trafikim të votave, ndërsa vuri në dukje dhe një herë se marrëveshja e arritur me PD-në dhe LSI-në, nuk është ajo që PS-ja do të kishte dashur. “Nuk preferoj të zgjedh një rrugë që do deformojë gjithë procesin e jetës normale parlamentare.
Ka mundësi për të gjetur rrugën e arsyes. Duhet durim, punë bindëse, dëgjim i vëmendshëm. Do përpiqemi të gjejmë një zgjidhje me dinjitet”, deklaroi ai. Po ashtu, duke folur për gazetarët pas takimit, zoti Rama kërkoi që në këtë proces diskutimi të përfshihej dhe kryetari demokrat, Lulzim Basha. “Është koha që të bëjmë një sforco të gjithë, dhe unë. E mbase do ishte e udhës që dhe Lulzim Basha ta konsideronte që të futej në këtë proces e të bënte një komunikim dhe ai me ata që ai i ka sjellë këtu në Parlament, se nuk është mëkat e kështu të bashkojmë forcat për të gjetur një rrugë të arsyeshme për t’i dhënë zgjidhje një situate që nuk është absolutisht e lehtë siç duket”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.