Sikur të përfytyrojmë në një moment të shkurtër, se kërkesa e Ali Ahmetit do të zbatohej, do të kishim as më shumë, as më pak, po tre shtete shqiptare në Ballkan. Po t’i referohesh logjikës elementare, shqiptarët janë shpërndarë për shkak të historisë që njohim edhe në dy shtete të tjera rrotull: në Malin e Zi dhe në Greqi. Po a vlen logjika e drejtë, në atë që quhet ‘real politikë’?
Kërkesa e Aliut, për mendjen time, natyrisht që nuk do të realizohet dhe kjo, jo nga partia e Zaevit, por edhe e Mickovskit. I gjendur në një analizë televizve në emision dhe duke vazhduar bisedën në kohën e shkurtër të reklamave, një nga analistët po më theksonte se, taktika e Ali Ahmetit mbante brenda elemente gjenialiteti. Dhe aty për aty, më shpjegoi dy a tri variante. Së pari, nëse Zaevi nuk pranonte, atëherë propozimi i bëhej Mickovskit, domethënë, partisë tjetër maqedonase. Ndoshta me idenë, se nga një aleancë me të, posti i Kryeministrit mund të ndahej me periudha të barabarta kohore midis dy partive. Natyrisht, po për mendjen time, një diçka e tillë nuk diskutohet as në variantin me Zaevin dhe as me Mickovskin. Që ky i dyti, të pranonte variantin për të ndarë pushtetin në këtë lloj forme, kjo do të thoshte të mos merrte më në jetë të jetëve, vota nga bashkëkombësit e tij. Ky përfundim është normal. Bashkëbiseduesi insistonte duke thënë, se nga kjo ngritje steke e Ali Ahmetit, ndoshta shqiptarët siguronin për të nesërmen postin e Presidentit, apo të tjera gjëra, çka do të përbënte avantazh të madh për ta. Për mua, avantazhi i madh është i një lloji tjetër dhe ndjekja e taktikës së Aliut, perifrazuar titullin e artikullit, nuk të shpie asgjëkundi. Bile edhe nëse, vërtet realizohet në praktikë. Thua është avantazh i madh, apo një nga ato ëndrrat që sido që t’i përkundësh, po t’i referohesh një farë mjeku gjysmëpopullor të shton dopaminën, por jo serotoninën. Pra, kënaqësinë e çastit, por jo lumturinë, që është një proces jetëgjatë. Megjithëse, gjithnjë kam admiruar thellë Arbën Xhaferin, si filozofin e fundmit të ndritshëm të kombit tonë – në sensin praktik, të njëjtin admirim kam ndarë për Ali Ahmetin. Që kur filloi lëvizjen e tij të njohur në vitet 2000, më është dukur si Plaku i madh i Butkës së Kolonjës, që me manovra gjeniale taktike, shpëtoi Korçën dhe një pjesë të mirë të Jugut të Shqipërisë nga kthetrat greke, në Luftën e parë botërore. Po gjithnjë, kam parë pas këtij hapi madhështor të Ali Ahmetit, gjëra që duhet të vazhdonin në pamje të parë, vetëm prozaike. Ato filluan me Marrëveshjen e Ohrit dhe u shtynë disi më pak, me pjesëmarrjen më aktive, në jetën politiko-administrative apo akademike të shqiptarëve. Nisur nga kjo e fundit, duket se nisma e Ali Ahmetit, rihap prapë skenarët e lojës së madhe, po çështja është: në cilin drejtim?
Dhe e shtruar si akoma më thjesht: A është e mundur një strategji e tillë, për të shkuar në fitore apo për të zgjeruar avantazhet e mëdha, të krijuara nga hyrja aktive e Aliut në politikë?
Besoj, jo dhe akoma më shumë, besoj që nuk na çon gjëkundi.
Disa muaj më parë, në një darkë private me Zoran Zaevin, po e dëgjoja me çudi filozofinë e tij. Filozofi që nuk gjendet as këndej dhe as andej kufirit tonë me Maqedoninë, apo me Kosovën, Zaevi po më tregonte me shpejtësi marramendëse, ca shifra që tregonin çfarë kishte vënë në dispozicion të lidhjes me Shqipërinë, apo ndryshe për Korridorin e 8-të. Ishin qindra milionë për autostradën në Qafë-Thanë dhe hekurudhën deri në Lin. Pastaj, po qindra dhe për pjesën bullgare, për të mbaruar këtë pjesë të korridorit. Më tha me gjysmë shakaje, se ishte shumë më mirë të zëvendësonte statujat formëmëdha në sheshin qëndror të Shkupit, me domethënie të një lloji tjetër, pra, atë të ekonomisë reale. Zaevi ëndërronte të plotësonte një plan të thjeshtë. Nëse Maqedonia furnizohej me mallra nga Selaniku, që e kishin origjinën në shumicë nga Kanali i Suezit dhe furnizonin Ballkanin a më gjerë, donte edhe një rrugë tjetër. Ajo që vinte nga pjesa tjetër e Korridorit të 8-të, që vinte nga Shqipëria dhe mund ta kishte origjinën nga Gjibraltari. Të dyja këto rrugë kryqëzoheshin në Shkup e për të folur në mënyrë figurative, aty ku shihnin statujat bosh të parardhësit që në thelb, vetëm para i humbën vendit e ndoshta dhe nënqeshjen e të tjerëve.
Po shumë mirë, i thashë – ne bëhemi pikëhyrje dhe ju qendra, nga këto mallra që shpërndahen në Stamboll, Evropë qendrore, apo Rusi nëpërmjet Ukrahinës. E ca më shumë, kjo vijë e drejtë komunikimi nga Vlora dhe Durrësi, që shkojnë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë drejt Stambollit, bëjnë në kohë paqeje a lufte, njëfarë ngushtice “Alla Dardanele” e rrugëve tokësore, për Europën a më gjerë.
Po këto gjëra, bëhen vetëm bashkë me shqiptarët – vazhdoi ai. Dhe unë, nuk e di se ku jeni ju me këto ide, që po i thua gjysmë duke qeshur. Nuk e di, se ku shkojnë e dalin rrugët, portet, apo hekurudhat tuaja. M’u kujtua presidenti i tyre jetëshkurtër Trajkovski, që shprehej thjesht dikur. Armiqësia mes shqiptarëve e maqedonasve mbaron njëherë e mirë, kur të ndërtohet Korridori i 8-të
Stratagjema të tilla, nuk i kam dëgjuar as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Të zhytur në maskarallëqet e lufës së përditshme politike, klasa udhëheqëse këtu dhe në Kosovë, vetëm shkatërron pa pushim vendin.
Natyrisht, strategjira të tilla janë apo rëndojnë ndonjëherë shumë në shpatullat e të varfërve. Po ndoshta, ka ca gjëra më të thjeshta për t’u bërë dhe pa u marrë me idetë sipër dhe që besoj, të shpien më para se e Aliut. Që siç e thashë, zor të arrihet, për të mos thënë se po u vazhdua me forcë, vetëm do shkaktojë inatin e Evropës dhe asgjë më shumë.
Nëse shqiptarët e Maqedonisë, të Kosovës dhe Shqipërisë do t’i vinin mendjen arsimit profesional, reformave për tokën, për ligjet, punët do të ishin më mirë. Ndaj dhe besoj se Aliu kësaj radhe duhet më shumë se kërkesa për Kryeministër të shqiptarëve, duhet të kishte kërkuar me forcë prej bashkëkombasve të tij, gjërat që vërtet nëpërmjet shkollës profesionale, apo arsimimit të përgjithshëm të klasit të parë u hapin rrugë në administratë. Të paditurit, nuk i mban njeri në punë edhe kur ata janë të ndershëm, apo të vuajtur. Nuk i mban apo i fut në punë dhe kur janë vëllezërit e motrat, a kushërinjtë e tu. Këtë, në Maqedoni e dinë shumë më mirë se tek ne dhe në Kosovë. Andaj dhe janë shumë më përpara nesh në arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional. I kanë më mirë, se ne punët me ligjet dhe reformën për tokën. Dhe pandaj, Maqedonia thith shumë herë më tepër investime, se ne dhe Kosova. E kjo, pavarësisht konflikteve etnike apo pozicionit të lakmuar strategjik, që Bismarku e çmonte shumë, kur thoshte, thjesht:
Kush zotëron Maqedoninë, zotëron Ballkanin dhe rrjedhimisht, Evropën.
Unë besoj, se jemi ende larg strategjive të mëdha, për të bashkuar kombin nëpërmjet korridoreve apo shfrytëzimit të pozicionit gjeografik. Po mësuesin e madh tonin, Naim Frashërin, duhet ta dëgjojmë pambarimisht në filozofinë e tij gjeniale, përmbledhur në frazën:
Dhe dritë e diturisë, përpara do na shpjerë.
Pandaj, jam me titullin e këtij artikulli që, në vend të kërkojmë kryeministrin me tezën e Aliut, të dëgjojmë Naimin. Vetëm kështu, mund të fitojmë shumë më tepër, nga ato që ëndërrojmë.