Nëse mendoni se klube si Real Madrid, Barcelona apo Milan e Liverpool kanë fituar më shumë trofe në botë, gaboheni. Më shumë se kushdo tjetër ka fituar Club Nacional në Uruguaj, me 146 trofe, 137 të fituara në rang kombëtar dhe 9 në arenën ndërkombëtare.
As në vend të dytë dhe të tretë nuk ndodhet ndonjë skuadër e madhe, por respektivisht Penarol po i Uruguajit dhe Al Ahly i Egjiptit, me 127 dhe 116 trofe në total. Klubet evropiane fillojnë nga vendi i katërt e më tej. Rangers në Skoci renditet i katërti me 115 trofe të fituara, ndërsa në vendin pestë rivalët e përjetshëm të Celtic me 110 trofe.
Vetëm vend i gjashtë për Real Madrid me 92 trofe dhe menjëherë pas kampionëve të Spanjës vjen rivalja Barcelona me 91 trofe. Benfica ndodhet në vendin e tetë me 85 trofe në total. Një tjetër surprizë në vendin e nëntë, me Al-Faisaly Amman të Jordanisë, me 80 trofe.
“Top 10” e mbyll klubi i Portos me 76 trofe. Vendi i 11-të mbahet nga Olympiacos po me 76 trofe, por me të veçantën që nuk ka fituar asnjë jashtë Greqisë. Vend i 12-të për Bayern Munchen. Një klub anglez renditet në vendin e 15-të, pikërisht Manchester United. Ndërsa klubi i parë italian është Juventus në vendin e 16-të.
Në renditjen e 30 klubeve me më shumë trofe mungojnë emra prestigjozë në Europë, si Milan, Inter, PSG, Atletico Madrid, Dortmund apo Chelsea, Arsenal, Manchester City e shumë klube të tjerë, që sot dominojnë në arenën evropiane.
Megjithatë, sa u përket trofeve ndërkombëtarë, Real Madrid renditet i pari me plot 27 trofe të fituara që nga krijimi. Ai që habit në vendin e dytë është Al Ahly i Egjiptit me 20 trofe, natyrisht në kontinentin afrikan. Në vendin e tretë është Barcelona me 17 trofe.