Prodhuesit e veshjeve dhe këpucëve i kërkojnë qeverisë ndërmarrjen e një plani me 4 pika për shpëtimin e industrisë nga kriza e shkaktuar si pasojë e COVID-19. Sipas tyre, për periudhën prill-qershor rënia e eksporteve i ka shkaktuar kësaj industrie një humbje prej rreth 130 mln euro, ndërkohë që 22 mijë punonjës tashmë kanë humbur vendin e punës.
Në këto kushte, shoqata “Pro-Eksport Albania”, ndër të tjera kërkon ndryshimin e kritereve për përfitimin e kredisë me garanci sovrane .
Gjithashtu, kërkohet kompensimi i plotë i shpenzimeve mujore direkte të kryera nga fabrikat e sektorit në respektim të Protokollit të Kuq, që kapin një kosto prej 5,000 lekë nëmuaj për çdo punonjës aktiv. Ndërkohë që 2 pikat e tjera kërkojnë mbështetjen me kredi të buta si dhe ndryshime në tenderimet që kryejnë institucionet shtetërore për veshje dhe këpucë.
Sipas një sondazhi të kryer nga shoqata me 70 kompani të kësaj industrie rezulton se situata e kontratave me klientët respektivë për periudhën shtator-tetor paraqitet e zymtë. Ndërkohë që, vetëm 37% e tyre kanë mund të diversifikojnë prodhimin, duke iu përshtatur kërkesave të tregut.