MENU
klinika

Nga Salih Mehmeti

A ka vërtetë ‘racizëm’ ndaj romëve? Apo, ky term është keqdrejtues?

12.07.2020 - 09:51

Nji video e përkrahun nga Zyra e BE-së po e qet si protagonist muzikantin rom, Bajram Kafu Kinolli. Meqë rrëfimi i tij ma pak përqëndrohet tek bendi i tij “Gipsy Groove”, tri pretendime të tij me ose pa qëllim vijnë me nëntekste bukur problematike.

Kinolli: “Rrugës e nin fjalën ‘magjup’, ‘Michael Jackson’, ‘zezak’, ‘gabel’ e çka dush. Janë sene që i nin…”
Përgjigje: Për aq sa shkon përvoja e realitetet urbane, kërkush nuk i bullizon apo trazon pjesëtarët e pakicës RAE. Këtu po ngritet nji pohim që nji rast të supozuem e absolutizon si konstante përditshmënie. Dhe interesant âsht që këto “rrëfime” kur i drejtohen nji audience potenciale evropiane kanë prirjen që narrativat me i ndërtue asisoj që mizën me e ba tarak.

Kinolli: Njerëzit në Kosovë e kanë vshtirë me i pranue romët si pjesë të Kosovës”
Përgjigjje: Ky mundet me qenë veç bishti i nji tregimi të cunguem të cilit i mungon kryet e trupi. Simbas nji raporti të Komitetit serb të Helsinkit, në vitin 2000, romët e ikun nga Kosova tregoheshin “less tolerant” sesa vetë serbët për prospektet e nji Kosove në duert e shqiptarëve: 87 për qind e tyne u shprehën se do të pajtoheshin të jetonin veç me serbët e jo me shqiptarët.

Kinolli: “Ata (shqiptarët) e kanë informatën se romët, egjiptianët e ashkalitë gjithë janë kanë pjesë e sistemit serb në Kosovë. Gja që u kanë normale se na kemi jetu nën Serbi”
Përgjigje: Jo nuk ka qenë normale me qenë pjesë e sistemit serb që u ngrit mbi deprivimin e gjithçkaje shqiptare. Dhe nuk ka qenë kolaboracionizëm i izoluem, por me përpjestime alarmante. Siç tregon Ger Dujizings, nji numër i ndjeshëm romësh kanë bashkëpunue me forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Dhe s’bahet fjalë veç për romë serbishtfolës, por edhe për romë myslimanë shqipfolës që identifikoheshin me serbët. Pra, mosbesimi që ruejnë sot shqiptarët e kujtesa akoma e njomë historike nuk âsht e bazume në thashetheme por në nji të vërtetë historike që pranohet edhe prej nji studiuesi si Dujizings!

***
Shpjegimi aprioristik për këtë gjendje âsht “racizmi”? Nuk ka term tjetër që sot i nënshtrohet ma shumë abuzimit sesa fjala “racizëm”. Prej nji perspektive ultraliberale, gjithçka sot e merr cilësimin “racist(e)” ashtu që çdo opinion kundër diskursit dominant e temave të parapelqyeme ultraliberale e skualifikon. Të tillë funksion asfiksues sot e kanë termat “islamofob”, “racist”, që vijnë zakonisht prej grupimeve ma jotolerante, atyne që kanë za të naltë e mujshar, por jo edhe argumente.
Që me hi ma në thelb të çashtjes: ato që janë thjesht stereotipe e paragjykime intristike kulturore të secilës shoqni nuk e kanë nevojisht statusin e racizmit. Se nëse procedojme me këtë logjikën që gjuha pavetëdijshem maskon padrejtësi (Handke), atëherë çdo komunitet etnik e gjuhësor kudo në botë duhet me e vnue para bankës së akuzuemit se terma te caktuem nuk përkojnë me diskurset dominante. A nënkupton kjo që edhe vetë etnonimi i popujve romë ka dicka raciste se ‘romë’ në gjuhën e tyne nënkupton “njeri”? Pra, si çdo dihotomi identitare e secilit grup etnogjuhësor, edhe ky endonim po e ndajka botën e tyne në “njerëz” (na) dhe “jonjerëz” (ata). Ose romët n’Shqipni që secilin jashta grupit të vet e quejnë “gaxho” (duart e bardha), simbas te njejtës logjikë, a nuk e paska po kaq nji rezonim racist?
Bahet fjalë për segregim atëherë dhe vetëm atëherë kur nji komunitet i caktuem etnik privohet përdhunshëm prej shërbimeve, resurseve, hapësinave publike nga nji grup tjeter dominant në emën të nji platforme politike. A janë përjashtue prej shkollave nxanësit e RAE-së, a dëbohen përjashta udhëtarët prej busit publik, a bahen lagjet rome shënjestër e aksioneve policore?
Shumica e romëve ankohen se ka paperspektivë ekonomike e jo racizëm. Këtë varfni e ndajnë njisoj edhe të “privilegjuemit” shqiptarë.
E për fat të keq, raporte e hulumtime që i ban BE-ja shumë ma rrallë e përkapin këtë dimension e shumë ma me qejf theksin e vnojnë te mantra e tyne diskursive që romët i (para)përshkruen si subjekt perpetual i racizmit.
Pse s’flitet për diskriminim të romëve aty ku janë përqindje e ndjeshme: Rumani, Hungari, Sllovaki, Serbi, Bullgari, Turqi, etj. Nisun prej përqindjes së tyne, në këto shtete janë realitete demografike që gjenerojnë edhe situata diskriminuese. Por në Kosovë, përpjesa e romëve âsht tepër e vogël, madje ma e vogla në Ballkan, dhe me e thanë paksa figurativisht, “racizmi” as fizikisht nuk âsht i mundun. Aq ma tepër që bahet fjalë për nji shtet që, me krejt deficiencat që i ka, të paktën legjislacion e praktika “diskriminimi pozitiv” ka interiorizu ma shumë sesa çdo vend i BE-së.

***
Çudi, pra, që gjithë kjo mbiprani ndërkombëtare (misione, ambasada, organizata, fondacione) po i “mbyllka” sytë përballë këtij racizmi! Çudi që kjo nuk pikaset në raporte të rregullta mujore e vjetore të vetë ndërkombëtarëve e po kaq çudi që edhe përfaqësuesit politikë (me vende të REZERVUEME në Kuvend) nuk e zërojnë “racizmin”!
Për romët në Kosovë sot ka folë veç Serbia tu jep shifra fantastike për numrin e tyne, për të shpërngulunit, e për krimet që shqiptarët paskan ba me ta. Pra veç prej saj vjen e bahet stivë nji dosje anti-Kosovë. Çdo romë këtu e përmend si kryeproblem papunësinë e jo racizmin.

***
Pse mas çdo incidenti ku qenka i perfshimë nji romë duhet me e pa patjetër edhe nji motiv a agjendë “raciste”? Pse gjithçka që ngjan në mikrokozmosin tonë social duhet me e pa prej nji perspektive të tillë që poshtë sheh veç incidente “raciste”? Kam pa, po kaq, edhe lypsa shqiptarë që janë rreh, janë përzanë; kam pa po kaq edhe të “privilegjuemit” shqiptarë tu çkapuritë napër kontanjera të bërllogut, edhe kam pa po kaq shumë nji proletariat me diploma e stërkualifikim që as s’janë pranue as në institucione, as në kompani e as kërkun tjetër. Me e pa mikrokozmosin social në Kosovë me thjerrëza të tilla – pra ku paska të privilegjuem shqiptarë e romë të diskriminuem – asht me e shpërfytyru realitetin e me e krijue bindjen sikur Kosova paska etablue “Jim Crow laws”. Edhe më lart i bana do vërejtje pse kjo paradigma me “racizëm” asht keqdrejtuese (misleading)