MENU
klinika

"Kemi një situatë kritike"

Analistët për “VOA”: Zhvillimet e fundit politike, për përfitime të ngushta partiake!

22.07.2020 - 19:50

Në Tiranë partitë kryesore po bëhen gati për një tjetër mbledhje të Këshillit Politik për të dialoguar mbi proceset zgjedhore.

Socialistët ftuan opozitën që Këshilli Politik të mblidhej sot pasdite, ndërsa opozita kërkoi që takimi të shtyhet një ose dy ditë.

Vëzhgues të jetës politike në Shqipëri shprehen skeptikë për këto bisedime dhe marrëveshje të fundit.

Ata i shohin zhvillimet e fundit si përpjekje për përfitime të ngushta partiake dhe jo për forcimin e demokracisë apo sigurinë e proceseve zgjedhore.

Një ditë para miratimit në parlament të marrëveshjes së 5 qershorit me opozitën e bashkuar jashtë-parlamentare për zgjedhjet, Partia Socialiste në pushtet nënshkroi të martën në mbrëmje një tjetër marrëveshje me deputetë të opozitës pjesëmarrës në parlament për ndryshime kushtetuese me ndikim në procesin zgjedhor.

Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, tha se partitë e ndryshojnë kushtetutën sa herë që janë vet në krizë dhe e bëjnë aktin themleor të shtetit objekt kalkulimesh elektorale midis tyre.

“Këto ndryshime kushtetuese duhet të ishin vizionare dhe afatgjata dhe jo ndryshime kushtetuese në kushte të urgjencës apo emergjencës, sepse kështu duan partitë. Kjo nuk është normale dhe nuk është demokratike. Ky është një proces aspak transparent, ku flitet në emër të popullit, por populli nuk pyetet ndonjëherë nëse ka dëshirë ta ndryshojë Kushtetutën dhe për cilat çështje madhore duhet reflektuar dhe të pyetet populli me referendum” – tha zonja Meta.

Ambasadorja SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, u takua dje me kryeministrin Rama dhe sot me presidentin Meta pë zhvillimet e fundit politike. Studiuesi Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike, thotë se herë që shumica ka kriza qeverisje dhe sa herë afrohen zgjedhje kryeministrat kanë zgjedhur konfliktin me ndërkombëtarët dhe forcim të kontrollit dhe autoritetit të brendshëm. Edhe tani kryeministri po ndjek interesat e tij afatshkurtra, dhe nuk po ndjek agjendën integruese drejt BE-së, për kriteret e të cilës po bën presion faktori ndërkombëtar.

“Problemi kryesor i Shqipërisë është plotësimi i kritereve të Bashkimit Europian, që lidhen me fillimin real të negociatave dhe së dyti kalimi në një stabilitet politik, dhe baza për këtë stabilitet ishte marrëveshja e 5 qershorit. Çdo përpjekje tjetër për ta ndryshuar këtë marrëveshje, për të krijuar artifica në Kushtetutë, duke ndaluar koalicionet apo duke ndryshuar elementë të sistemit zgjedhor, apo duke bërë presione përmes kartonave të maxhorancës për të ndryshuar realitetin politik lidhen me kalkulime elektorale dhe kjo ka qenë tipar i çdo maxhorance në mandatet e dyta të tyre” – thotë zoti Krasniqi.

Partitë kanë premtuar një reformë gjithë-përfshirëse dhe transparente, e cila do të ndihmojë votuesit, por kjo nuk po ndodh, thotë zonja Meta, ndaj partitë duhet të ndalin manovrat e paqarta dhe të jenë të dobishëm për qytetarët dhe demokracinë shqiptare.

“Populli nuk e kupton lojën e listave të hapura që 1/3 i takon partive politike dhe 2/3 i përket popullit të zgjedhë. Në një përllogaritje në terma konkretë nëse në Tiranë në një listë me 35 deputetë nga këta 11 do t’i zgjedhë kreu i partisë dhe një pjesë do t’i zgjedhë populli. Këto nuk janë lista të hapura, por këto dallaveret që bëjnë partitë politike, ku përzgjedhja e emrave është jotransparente dhe plot dyshime” – tha zonja Meta.

Partia Socialiste ftoi sërish PD për bisedime sot pasdite në Këshillin Politik, ndërsa opozita tha se ishte gati për një takim nesër pasdite. Nesër është edhe seanca plenare, kur sipas kalendarit parlamenti duhet të miratojë marrëveshjen e 5 qershorit.

“Nuk kemi asnjë debat publik për problemet e integrimit, dhe se pas vendimit të 25 marsit në Bashkimin Europian duket se nuk ka ndryshuar asgjë në Shqipëri dhe fakti që kemi një përpjekje të qeverisë për të marrë një aksion politik dhe nga ana tjetër kemi një kosto të pritshme për t’u paguar nga Shqipëria dhe nja apati të dukshme publike, do të thotë se kemi një situatë kritike dhe pavarësisht ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe të Kushtetutës, është një paralajmërim se zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje shumë larg pritshmërive publike dhe standarteve që ka nevojë Shqipëria” – tha zoti Krasniqi.

Kriza politike dhe truket e përsëritura për tensione artificiale, pohojnë analistët prova që Shqipëria ka bërë pak progres në rrugën demokratike. Konfuzioni, sipas zonjës Meta ekziston edhe brenda vet radhëve të deputetëve.

“Më 23 korrik do të miratohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor bazuar në marrëveshjen e 5 qershorit. Por po të shohësh deklarimet e deputetëve brenda parlamentit ose të opozitës së re parlamentare, shihet se edhe ata janë të paorganizuar dhe të ndarë në lobime në grupe; njëri thotë se do ta votojë, tjetri thotë se vota është individuale, unë do të votoj këtë, unë do të votoj atë. Ka dy data brenda parlamentit, 23 dhe 30 korrik ku vet deputetët janë të konfuzuar dhe nuk dinë se çfarë do të bëjnë dhe për kë do të votojnë” – thotë zonja Meta.

Nga ana tjetër zoti Krasniqi, thotë se në Shqipëri ka nisur herët de facto fushata zgjedhore dhe socialistët po përpiqen të futin përcarje mes konkurrentëve opozitarë.

“Për sa kohë që ne kemi edhe një anormalitet të madh në zgjedhjet vendore; kemi kryetarë bashkie që u ka mbaruar mandati apo bashki pa kryetarë dhe askush nuk shqetësohet do të thotë se ne po marrim një model të deformimit demkratik dhe po e mbajmë këtë si një model referues për demokracinë. Ky devijim nga praktika demokratike është kosotja më e madhe që ne po i lëmë qytetarëve dhe shoqërisë. Ne po i edukojmë dhe po i mësojmë ata se çdo eksperiment dhe çdo zhvillim jonormal është normal për Shqipërinë. Ky është lajmi më negativ i gjithë zhvillimeve të fundit në Shqipëri” – tha zoti Krasniqi.

Tani socialistët janë me dy palë bisedime dhe me dy palë marrëveshje, aktualisht ka një konfuzion marrëveshjesh, pas një kohe të gjatë kur nuk kishte asnjë marrëveshje dhe asnjë bisedim, vërejnë analistët.

Këtë javën e fundit të korrikut mbetet për t’u parë se nga do të zhvendosen ngjarjet, por sipas tyre, pikëpyetjet dhe 15 kërkesat për integrimin europian mbeten të njëjta./VOA