Merr fund arratia e Agim Kajmakut. Ish-kryetari i Bashkisë së Vorës është arrestuar dhe tashmë ndodhet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Mësohet se ndalimi i tij ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme.
Kujtojmë se Prokuroria firmosi urdhër-arrestin për Kajmakun më 11 nëntor të vitit të kaluar por që atëhere Kajmaku nuk u duk më, duke i shpëtuar për muaj me radhë uniformave blu.
Ai u denoncua fillimisht nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash. Greqia e shpalli të pafajshëm, ndërsa rezultoi e vërtetë që në vitin 2003 ai ishte në kërkim për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk u kap pasi kishte ikur në Shqipëri.
Por në formularin e dekriminalizimin Kajmaku e fshehu këtë rast, duke cuar në shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut pak muaj pasi e kishte marrë këtë post. Kajmaku u shpall në kërkim pasi KQZ e shkarkoi, ndërkohë që ai vijoi të bëjë kryebashkiakun duke firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë Vorë, Laureta Omerni dhe Hekuran Brahimajn duke zgjedhur Gent Picarin në këtë post (Picari u shkarkua më vonë).
Prokuroria e akuzon ish-kryebashkiakun për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”. “Falsifikim i dokumentave” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.