MENU
klinika

Tarkovski

Arti krijon iluzionin e të paskajshmes

12.07.2020 - 06:57

Dikur filozofi ekzistencialist spanjoll José Ortega y Gasset thoshte se arti buis aty ku një qendër e caktuar e stimulon përherë krijuesin.

Dhe yshtjet shpesh kanë krijuar edhe të kundërtën: një art të zhveshur nga burimorja. Arti në disa vende komuniste u bë një-linear e me mesazhe subliminale për krijimin e njeriut pa shpirtëroren e tij.

Por, artistikja nuk njeh shtrëngime dhe një rast përjashtimisht frymëzues është regjisori rus Andrei Tarkovski.

Gjeniu i kinemasë ruse, i quajtur nga kineasti suedez Ingmar Bergman si «regjisori më i rëndësishëm i kohës sonë», është krijuesi i filmave të jashtëzakonshëm si «Stalker», «Solaris», «Andrei Rublev», «The Mirror» e plot të tjerë.

Pa pretenduar për të dhënë një përshkrim të universit tarkovskian, kërkimi i përhershëm i ideales së ëndërrt, portali Konica.al sjell një shkëputje nga libri i tij ‘Duke skulpturuar në kohë: reflektime mbi kinemanë»:

«Arti lind dhe zë vend aty ku ka një mëtim të pakohshëm dhe të pashuar për shpirtëroren, për idealen: ai mëtim që i shtyen njerëzit drejt artit. Arti bashkëkohor ka marrë kahje të gabuar duke braktisur kërkimin për kuptimin e qenësisë me qëllim të pohimit të vlerave të individuales për hir të saj. Çka synon të jetë art fillon të duket si një brengë ekscentrike për dyshimin e karaktereve që thonë se çdo veprim i personalizuar është me vlerë intrinsike vetëm si shfaqje e vetë-vullnetit. Por në një sajim artistik personaliteti nuk e pohon vetën por i shërben një ideje tjetër, më të madhe dhe komunale. Artisti është gjithmonë rrogtar, dhe përçapet përjetësisht të paguajë për dhuntinë që i është dhënë sikur prej një mrekullie. Njeriu i sotëm, sidoqoftë, nuk dëshiron të bëjë ndonjë sakrificë, paçka se pohimi i njëmendët i vetëvetës mund të shprehet në sakrificë. Ne gradualisht po e harrojmë këtë, dhe në të njëjtën kohë, pashmangshëm, po e humbim krejt sensin e thirrjes njerëzore.

Kur flas për aspirimin drejt të bukurës, të ideales si qëllim i fundmë i artit, që harliset nga mëtimi për idealen, unë nuk po sugjeroj për asnjë çast se arti duhet duhet t’i bishtnojë ‘ndyrësisë’ së botës. Përkundrazi! Imazhi artistik është prore një metonimi, ku një gjë zëvendëson tjetrën, e vogla të madhen. Për të rrëfyer atë që po jeton, artisti përdor diçka të vdekshme; për të folur për të paskajshëm, ai tregon të skajshmën. Zëvendësimi…e paskajshmja nuk mund të bëhet, por është e mundur të krijohet iluzioni i të paskajshmes: imazhi».

(Shkëputur nga Andrey Tarkovsky, Sculpting in Time: Reflections on the Cinema, 1987, f. 38)

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit