Atalanta e këtij sezoni nuk është më një surprizë! Numrat mbresëlënës e shndërrojnë skuadrën bergamaske në një shembull të vërtetë jo vetëm në Seria A, por edhe më gjerë. Asambli i drejtuar nga Gasperini nuk po njeh rival dhe “preja” e saj e fundit ishte Brescia, thuajse e rënë nga kategoria.
Fitorja 6-2 e ngjiti në vendin e dytë të klasifikimit, suksesi i 21 në 32 javët e para të Seria A, ndërkohë që shifra e golave sa vjen e rritet. “Tenisi” i luajtur përballë Brescias i dërgoi në 93 rrjeta këtë sezon, vetëm Bayern Munich më mirë se ata në Europë.
Por rekordi i gjermanëve është shumë pranë, vetëm 7 gola dhe me 5 sfida në favor, Atalanta e këtij viti mund të bëhet skuadra që shënon më shumë në kontinent. Edhe rivalët janë të paralajmëruar. Kjo pasi rekordi i Napolit të sezonit 2016-2017 me 94 gola nuk është thjesht një iluzion, por një cak që duhet kaluar pa shumë probleme.
Sfida e mbrëmshme prodhoi edhe golin më të shpejtë të Atalantës këtë sezon. Pasalic shënoi teksa kronometrohej minuta e parë e 29 sekonda. Ajo që sjell akoma dhe më shumë optimizëm te bluzinjtë është edhe mosha fare e re e futbollistëve, pjesë e të cilëve është edhe mbrojtësi i kombëtares sonë, Berat Gjimshiti.
Atalanta ka bërë formacionin më të ri titullar të këtij kampionati me moshën mesatare 26 vjeç dhe 152 ditë. Mesatarja e golave të shënuar nga ana e Atalantës është 2.8 për ndeshje. Një mesatare më e lartë se ajo e Barcelonës, Liverpool apo edhe Manchester City.