MENU
klinika

MSH: Virusi do të vijojë transmetimin, nëse …

Bilanci i 24 orëve/ 1 viktimë dhe 81 raste të reja

20.07.2020 - 15:15

Ministria e Shëndetësisë raporton se gjatë 24 orëve të fundit ka humbur betejën me koronavirusin një tjetër pacient nga Tirana, ndërsa janë shënuar 81 raste pozitive.

Viktima është një 80-vjeçar nga Tirana, i cili nga ndërruar jetë te spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi” dhe sipas MSH, vuante nga shumë sëmundje.

Ndërkohë, duke iu bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat, ministria bën me dije se situata në spitalet Covid vijon të jetë e rëndë, ku aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 123 pacientë, 18 në terapi intensive dhe 3 pacientë janë të intubuar.

“Virusi do vijojë transmetimin e tij, nëse qytetarët nuk do të ndërgjegjësohen”, tha MSH.

Deklarata e plotë e Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike të 24 orëve të fundit në vendin tonë.

Sitauta epidemiologjike vijon të paraqitet serioze. Gjatë javës që lamë pas, kishim një trend në rritje të rasteve të konfirmuara pozitive me Covid19, me një mesatare javore rreth 90 raste. Një trend në rritje janë edhe rastet që janë shtruar në spital apo që kanë kërkuar trajtim në terapi intensive.

Të gjithë këta indikatorë tregojnë që virusi do të vijojë transmetimin e tij nëse qytetarët nuk ndërgjegjësohen për të respektuar rregullat e vendosura, për të mbajtur maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura, për të ruajtur distancimin social, dhe bizneset duke zbatuar protokollet e miratuara.

Në 24 orët e fundit, nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin Covid2 “Shefqet Ndroqi”, një 80 vjeçar nga Tirana, i cili vuante nga shumë sëmundje.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve.

Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 123 pacientë, 18 në terapi intensive dhe 3 pacientë janë të intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 267 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 81 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 50 raste në Tiranë, nga 4 raste në Shkodër, Korçë, Kavajë, nga 3 raste në Durrës, Fier, Elbasan, Mirditë, Tropojë, Kamëz, 1 rast në Kurbin.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 41 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve në 2352 që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë ju drejtohet të gjithë qytetarëve të zbatojnë vendimin e qeverisë për mbajtjen e detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe kudo nuk është e mundur të ruhet distanca fizike.

Çdo shkelje e këtij vendimi është i ndëshkueshëm dhe do të konsiderohet rrezik për jetën e qytetarëve të tjerë.
Ministria e Shëndetësisë ju informon gjithashtu se me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili:
Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3,000,000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.

Sipas këtij akti, ndalohet muzika pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1,000,000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.

COVID-19 – Statistika (20 Korrik 2020)
Testime totale 35705
Raste pozitive 4171
Raste të shëruara 2352
Raste Aktive 1706
Humbje jete 113 (Qarku Tiranë 58, Shkodër 19, Durrës 17, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 2, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 824
Durrës 210
Shkodër 199
Vlorë 101
Lezhë 87
Korçë 62
Kukës 50
Elbasan 48
Fier 42
Berat 38
Dibër 26
Gjirokastër 19