Huamarrja e qeverisë britanike u rrit në një nivel rekord prej 127.9 miliardë paundë në tre muajt e para të vitit financiar 2020, kur masat e karantinës së koronavirusit ishin të plota. Shifra është më shumë se dyfishi i totalit të vitit të kaluar.
Huamarrja vetëm për muajin Qershor, përjashtuar bankat e zotëruara nga shteti, rezultoi në 35.5 miliardë paundë, shifër 5 herë më e lartë se e njëjta periudhë një vit më parë. Analistët thonë se ngadalësimi i rimëkëmbjes ekonomike dhe rritja e papunësisë më vonë gjatë vitit do të nxisë qeverinë që të shpenzojë më shumë e të marrë më shumë hua.
Borxhi neto i sektorit publik, përjashtuar bankat e zotëruara nga shteti, qëndroi gjithashtu shumë pak poshtë nivelit prej 100% të Produktit të Brendshëm Bruto, që e kaloi në Maj, dhe qëndron tashmë në 1.98 trilionë paundë, apo në 99.6% të ekonomisë.
Qeveria e Britanisë ka lajmëruar shpenzime shtesë dhe ulje tatimore prej rreth 192 miliardë paund për këtë vit financiar. Zyra e Buxhetit vlerësoi se humarrja për vitin do të shënojë 322 miliardë paundë apo mbi 16% të Produktit të Brendshëm Bruto, që është niveli më i lartë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Kjo shifër është bazuar në skenarin bazë, ku ekonomia tkurret me 12.4% në vitin 2020 dhe norma e papunësisë rritet në 11.9%. Skenari negative parashikon një tkurrje ekonomike me 14.3% dhe një rekord të huamarrjes prej 391 miliardë paundë.