Bazuar në vlerësimin e bankave tregtare, standardet e kreditimit u shtrënguan në tremujorin e dytë të vitit 2020. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregon, se ky ka qenë reflektim i situatës dhe pasigurisë së lartë prej pandemisë.
Sipas vrojtimit, bankat aplikuan standard më të shtrënguara si në kreditë akorduar bizneseve, ashtu edhe në kreditë e dhëna individëve, në të gjitha nënkategoritë përbërëse. Në të njëjtën linjë me standardet, bankat shtrënguan edhe termat e kushtet e kreditimit në kreditë e reja për bizneset dhe individët. Kërkesa për kredi u perceptua në rënie të theksuar si nga ana e bizneseve, ashtu edhe nga individët.
Banka Qendrore vëren se në tremujorin e tretë të vitit bankat presin të shtrëngojnë standardet e kreditimit për bizneset, veçanërisht në kreditë dhënë për financimin e investimeve. Në të kundërt, bankat shprehen për lehtësim të pritur të standardeve të kreditimit për individët në tremujorin e tretë.
Kërkesa për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2020, sipas gjykimit të bankave tregtare, pritet të jetë më e lartë si nga ana e bizneseve, ashtu edhe nga ana e individëve. Kërkesa për kredi nga ana e bizneseve pritet të nxitet nga kreditë për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, ndërkohë që ajo nga ana e individëve prej kredisë konsumatore.
Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë për ekonominë kishte vlerën e 582 miliardë lekëve, në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, raporti i kredive me probleme ra lehtë në muajin maj dhe regjistroi nivelin më të ulët që nga prilli i vitit 2009. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky tregues zbriti në nivelin 8.1%. Ngrirja e riklasifikimit të kredive, paralelisht me një rritje të lehtë të portofolit të huasë për ekonominë e ka përmirësuar më tej treguesit bazë që tregon cilësinë e aseteve në portofolin e bankave.