Një studim në Spanjë hodhi dyshime mbi imunitetin e tufës si mënyrë për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.
Studimi i më shumë se 60,000 njerëzve vlerëson se vetëm rreth 5 për qind e popullsisë spanjolle ka zhvilluar antitrupa, shkruan revista mjekësore Lancet.
Rreth 70 deri në 90 për qind e një popullate duhet të jetë imune, për të mbrojtur të painfektuarit.
Përhapja e antitrupave të sëmundjes që e shkakton koronavirusi COVID-19 ishte nën 3% në rajonet bregdetare, por më e lartë në zonat e Spanjës me shpërthime më të mëdha, thuhet në raport.
“Me gjithë ndikimin e lartë të COVID-19 në Spanjë, vlerësimet e përhapjes mbeten të ulëta dhe janë të pamjaftueshme për të siguruar imunitetin e tufës”, thanë autorët e studimit.
“Në këtë situatë, distanca fizike dhe përpjekjet për të identifikuar dhe izoluar rastet e reja dhe kontaktet e tyre janë të domosdoshme për kontrollin e ardhshëm të epidemisë”, thekson raporti.
Studimi mendohet të jetë më i madhi i këtij lloji në Evropë. Spanja ka regjistruar më shumë se një çerek milioni raste me koronavirus dhe mbi 28,000 viktima. Rel