“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Cilat janë metodat e trajtimit të skarlatinës dhe çfarë duhet patur parasysh për një përmirësim sa më të shpejtë të fëmijës?
Pergjigjet mjeku:
Pjesa më e madhe e simptomave të etheve të kuqërremta ose skarlatinës vetëshërohen brenda një jave dhe pa praninë e mjekimit. Mirëpo është shumë e rëndësishme të merret një kurë e plotë me antibiotikë edhe nëse simptomat janë qetësuar dhe duket sikur fëmija është shëruar, kjo pasi terapia është e rëndësishme për të zhdukur infeksionin dhe për të reduktuar rrezikun e shfaqjes së ndërlikimeve nga infeksioni streptokoksik i kaluar.
Trajtimi normalisht përfshin një kurs 10 ditor terapi orale me antibiotikë, zakonisht penicilinë ose në rast alergjie nga penicilina mund të përdorët eritromicina ose një antibiotik tjetër i përshtatshëm . Zakonisht temperatura do të stabilizohet brenda 12-24 orëve pas fillimit të dozës parë të antibiotikut dhe pas 4-5 ditëve nën terapi pacienti i rikthehet normalitetit.
Nëse brenda 24-48 orëve nga fillimi i antibiotikut fëmija nuk ka përmirësim duhet kontaktuar patjetër mjeku pediatër pasi në rast terapie joefektive ekziston risku i komplikacioneve të mundshme. Duhet theksuar se 24 orë pasi pacienti fillon antibiotikun risku i të qenit burim infeksioni dhe përhapës i sëmundjes ka kaluar, por gjithsesi regjimi i shtëpisë duhet ruajtur deri në përfundim të plotë të terapisë. Pasi është filluar terapia me antibiotikë mund të ndërmerren hapat për qetësimin e simptomave klinike. Nëse pacienti ka dhimbje fyti, ushqyerja është e vështirë dhe për të ruajtur një hidratim të fëmijës i duhen dhënë sa më shumë lëngje. Paracetamoli ndihmon në uljen e temperaturës dhe reduktimin e dhimbjeve. Mund të përdoret një pomadë freskuese që të reduktohen të kruarat.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.