Për herë të parë e kam hasur mbiemrin “Kamsi” duke studiuar pemën gjeneaologjike të familjes së Pal Engjëllit, autorit të të parit dokument në gjuhën shqipe. Nuk e mbaj mend se si, por një degë e asaj peme me rrënjë të lashta, mbante pikërisht këtë mbiemër të cilit, në atë kohë, nuk i kushtova fort rëndësi.
Duke lëvizur nëpër Shkodër pa asnjë arsye të veçantë, por vetëm me dëshirën për të hyrë në rugica që asnjëherë nuk më kishte rënë rasti t’i vizitoja, në hyrje të njërës pashë të shkruar rruga “Kolë Kamsi”. Menjëherë m’u kujtua dega e pemës së Engjëllorëve, prandaj vendosa të futesha në të.
Rrugica ishte e ngushtë, me pallate nga njëra anë e vila të vogla njëkatëshe e dy katëshe nga ana tjetër. Shkova deri në fund të saj duke vështruar çdo derë vile, mos në ndonjërën prej tyre shkruhej “Familja Kamsi”. Dola i zhgënjyer. Kishte gjithë ato emra familjesh të tjera në ato dyer, por emri i familjes Kamsi nuk ishte gjëkundi…
I interesuar të gjeja sërish pemën gjeneaologjike të familjes së Engjëllorëve, u drejtova për te biblioteka “Atë Zef Valentini” me shpresën se ajo do të vazhdonte të ishte aty ku e kisha lënë herën e parë kur e pata marrë në dorë.
Hyra brenda dhe në sportel ishte punonjësi i bibliotekës. Një burrë në moshë të thyer, veshur me kostum e me kravatë të cilin nuk e kisha parë herët e tjera kur kisha vizituar atë vend. Me mirësjellje më pyeti çfarë kërkoja dhe kur i thashë se isha i interesuar për pemën gjeneaologjike të Engjëllorëve, qeshi lehtë, doli nga sporteli, m’u afrua dhe, me tonin tonin e zërit aq sa lejohet në një bibliotekë më pyeti:
– Çfarë të duhet?
– Mesa mbaj mend nga hera e parë që e kam parë atë, një degëz e saj mban emrin “Kamsi”. Dua të zbuloj lidhjen e kësaj familjeje me Pal Engjëllin- iu përgjigja.
Ai buzëqeshi, doli nga salla e madhe dhe u kthye pas pak me disa letra. I vendosi të gjitha mbi njërën nga tavolinat, u ul dhe më ftoi të ulesha pranë tij.
-Familja Kamsi, – më tha, – vërtetë e ka origjinën nga Engjëllorët e Durrësit, të njëjtë me atë të Pal Engjëllit, – dhe, pasi hapi pemën gjeneaologjike, vendosi gishtin në pjesën e poshtme të trungut, shumë pranë rrënjëve të pemës, ku ishte e shkruar me shkronja kapitale “PALË ENGJËLLI” dhe e lëvizi deri te degëza ku shkruhej “Fam. Kamsi” e më pas, në dy degëza të tjera, shumë të vogla, me shkrim tepër të imët, shkruhej “Gjon Kamsi” dhe “Kolë Kamsi”.
Gjon Kamsi ishte im atë, – vazhdoi të fliste, – ndërsa Kolë Kamsi xhaxhai im. Unë jam Willi Kamsi, – më tha dhe më pa duke buzëqeshur.
Nuk thashë asnjë fjalë. Nuk prisja të kisha kaq shumë sukses që në kërkimin tim të parë për të njohur familjen Kamsi për të cilën, më vonë do të mësoja se ishte një dinasti që kishte rritur breza të tërë me dije e atdhedashuri.
-Im atë, Gjon Kamsi, – vijoi ai, – e zhvilloi aktivitetin e tij në Bari të Italisë ku edhe unë linda. Ishte bashkëpunëtor i shtypit kombëtar brenda dhe jashtë vendit dhe anëtar i gazetarëve të huaj në Itali. Ka botuar në revistat e njohura të asaj kohe “Posta e Shqypnisë” dhe “Bashkimi i Kombit”. Gjithashtu ka bashkëpunuar edhe me shumë gazeta e revista të tjera, ku ndër to dallohet bashkëpunimi pesëvjeçar me prestigjozen “Hylli i Dritës”.
Xhaxhai im, Kolë Kamsi, studioi njëlloj si babai në fillim në Shkodër e pastaj në Itali. Ishte atdhetar i flaktë dhe shkrimtar e studiues i njohur. Bashkëpunoi me sa e sa revista e gazeta kombëtare brenda dhe jashtë vendit. Tani, në demokraci, ka marrë titullin “Mësues i Popullit” nga presidenti i atëhershëm Sali Berisha.
Pastaj heshti dhe më pa sikur donte të më pyeste nëse kisha ndonjë pyetje për të.
-Po ju? – i thashë instiktivisht.
Ai buzëqeshi dhe nuk m’u përgjigj, por u ngrit dhe shkoi e u ul te vendi i tij në sportelin e bibliotekës. Unë kurioz, hapa fletët e tjera që ai kishte sjellë bashkë me pemën gjeneaologjike të Engjëllorëve dhe pashë një kopje të çertifikatës që Presidenti i kishte dhënë familjes së Kolë Kamsit dhe disa dokumente të tjerë, të cilët duhet të ishin fotokopje të artikujve të Gjonit e të Kolës.
Pak kohë më vonë, Willi Kamsi ndërroi jetë në moshën 90 vjeçare, e kështu nuk e mora vesh se çfarë ai do të më thoshte për vete. Kurioz për aktivitetin e tij më të gjerë se ai që u dha në media me rastin e vdekjes së tij, shkova dhe takova motrën e tij, zj. Mila Kamsi.
Ajo, qysh pas humbjes së të vëllait, jetonte e vetme në një shtëpi dykatëshe, dy rrugica para asaj që mbante emrin “Kolë Kamsi”. Më priti me shumë dashamirësi dhe kur i thashë arsyen pse kisha shkuar, më ftoi brenda. Në bibliotekën e saj gjeti CV- në e të vëllait, të atit dhe të xhaxhait të saj, të cilat m’i dha dhe, duke më falenderuar që kisha marrë iniciativën të shkruaja për familjen e saj, më kërkoi që të isha besnik ndaj atyre fakteve që po më jepte.
Në CV-në e Willi Kamsit, pashë se ai kishte qenë punëtor në bibliotekën e qytetit të Shkodrës ku kishte disadhjetrafishuar numrin e librave të fondit të bibliotekës. Pastaj kishte shërbyer si i pari ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Vatikan e më vonë, kur ishte kthyer në Shkodër pas shërbimit të tij diplomatik, kishte përpiluar seritë bibliografike të revistave më të rëndësishme të periudhës para vendosjes së rregjimit e ndoshta më të rëndësishmet e historisë: “Hylli i Dritës” dhe “Albania”.
Dinastia Kamsi është një pasardhëse e denjë e Palë Engjëllit dhe një ruajtëse e flaktë e gjuhës, me të cilën ai shkroi.