MENU
klinika

Disa prej tyre 9 vite në detyrë jashtë afatit

Diplomacia në kaos/ 30 ambasadorë të Shqipërisë pa mandat

17.07.2020 - 15:45

30 ambasadorë vijojnë të drejtojnë selitë diplomatike të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës në kushtet kur u ka mbaruar mandati. Konstatimi reflektohet në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në të cilin thuhet se disa ambasadorë vijojnë të qëndrojnë në detyrë deri në 9 vite përtej mandatit 3-vjeçar. Nisur nga kjo situatë, KLSH i kërkon ministrit të Jashtëm në Detyrë, Gent Cakajt, që “për të gjithë ambasadorët që u ka mbaruar afati i qëndrimit në detyrë, të merren masa që të kthehen në mënyrë që përzgjedhja e tyre të bëhet në përputhje me kriteret ligjore dhe nënligjore në fuqi”.

Ambasadorët që u ka mbaruar mandati janë emëruar në bazë të nenit 31/3 të ligjit për shërbimin e jashtëm, i cili parashikon që ministri i Jashtëm mund të emërojë në misionet diplomatike dhe postet konsullore, në raste të veçanta, ekspertë jashtë shërbimit të jashtëm, të cilët zotërojnë njohuri dhe ekspertizë, sipas specifikave të pozicionit të emërimit. Por, KLSH thekon se ambasadorët e emëruar bazuar në këtë parashikim përbëjnë 42% e totalit të ambasadorëve, duke shtuar se rastet nuk mund të quhen më “të veçanta”.

Në raport konstatohet gjithashtu se përfaqësitë diplomatike kanë funksionuar pa struktura të miratuara. “Për pasojë, kanë munguar edhe përshkrime për pozicionet e punës, duke mbartur risqe që vendimmarrja në lidhje me emërimet të jetë subjektive, veçanërisht në kushtet kur nuk parashikohet strukturë fikse (me numër të caktuar punonjësish) referuar edhe natyrës specifike që çdo përfaqësi diplomatike ka”, thuhet në raport. Auditimi i KLSH përfshin periudhën maji 2017 – gusht 2019.

Disa ditë më parë, ministri Cakaj ‘shkriu’ stafin e ambasadës shqiptare në Athinë, me në krye ambasadoren shqiptare në Athinë, Ardiana Hobdari. Më pas, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i kërkoi ministrit Cakaj që ë vijonte ‘aksionin’ edhe me selitë e tjera diplomatike.