MENU
klinika

Nga Bashkim Kopliku

Do mbushur boshllëku në të Djathtë, me një Parti

24.07.2020 - 14:25

Nga Bashkim Kopliku

Duhet të rimblidhet e Djathta Shqiptare Evropiane…, ajo që rrëzoi komunizmin në 1992.

Ajo që mori shumicën dërmuese të votave, duke bërë një program “für alle Schichten”, parulla e CDU gjermane, “për të gjitha shtresat”—PD 1992!

E shtresat e Shqipërisë, rreshtuar sipas shumicës së votave për të Djathtën Evropiane të 1992, PD e asaj kohe, ishin:

1–Ish-komunistët (po, po, pranojeni pa infeksione të luftës së klasave dhe biografive komuniste) si dhe jokomunistët që kishin punuar gjatë viteve 1945-1988. pa u futur në burg e pa u internuar.

2–Fshatarët, ata që punonin e jetonin në fshat, e që PD e 1992 i bëri pronarë privatë me ligjet për tokën, ku njëshi ishte i anatemuari ligji i tokës, “7501”, në thojza, se për deformim të realitetit përmendet vetëm ai, duke fshehur të vërtetën e madhe, se ishte një paketë ligjesh, së bashku e në një rëndësi, me komoensimin e menjëherëshëm të ish-pronarëve, që PD e pas 1992, në mashtrim e qëllimisht, nuk e zbatoi kurrë. Pa atë paketë ligjesh nuk rrëzohej komunizmi në Shqipëri!

Këta, 1 e 2, dhe vetëm këta kryesisht, ishin baza e PD-1992, por edhe shtresa relativisht e vogël, që po e rreshtoj më poshtë:

3–Ish–të përndjekurit politikë e ish-pronarët e tokës, që pranonin aleancë e bashkëpunim me shtresat 1 e 2 më lart! (Pjesa tjetër e ish-të përdjekurve e ish-pronarëve, ishin anti e djathtë evropiane, kripto-marksistë e kripto-nazisto-fashisto-zogistë, kundërshtarët dhe rrënuesit e PD-së së 1992, që iu hapën dyert e mbyllura të PD-së, vetëm në 1995, pas humbjes së Referendumit të 1994, kur ne drejtuesit e PD-së, në qendër e në rrethe, vendosëm të shkatërrojmë PD 1992, për të mbajtur pushtetin pa votat e popullit, me dhunën e tyre, një klike interesaxhinjësh, në qendër e në rrethe, që braktisën partitë e tyre mjerisht minorene!).

Po e theksoj: PD e 1995 e preu në besë shtresën 3, se nuk iu kompensoi tokën bujqësore që kishin pasur në pronësi, e që iu dha shtresës 2, si dhe nuk u dha shpërblimin për vitet e burgut, që të gjitha ishin pjesë të paketës së tokës etj. të PD-1992.

Edhe sot, 2020, baza e së Djathtës janë shtresat 1, 2 dhe 3, natyrisht brezi i ri, pra praktikisht të gjitha shtresat e Shqipërisë, ata janë e Djathta moderne shqiptare.

Duhet ribërë një parti e Djathtë, duhet mbushur ky boshllëk i madh shqiptar.

Principet e së djathtës, qeveri e vogë, bazuar te konkurrenca e gara, e jo te drejtimet nga të mençurit nga lart, janë shkurt tipiket e së djathtës moderne, që puthiten me traditat tona shqiptare, individualistë proverbialë.