Kreu i FSHF, Armand Duka, për të dytën herë ka vizituar punimet në stadiumin e Kukësit. Federata është një prej financuesve të këtij projekti që kap shifrën e 5 milionë eurove. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se, pavarësisht situatës së pandemisë, punimet po ecin me ritme të larta dhe brenda afateve.
Duka foli edhe për ndeshjen Bylis-Tirana, e dyshuar si e trukuar. Sipas tij, nuk do të ketë tolerime nëse do të ketë prova se gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë është trukuar. Presidenti i Federatës Shqiptare e shfaqi qartë qëndrimin e tij:
“Dyshohet si e trukuar. Nuk jam jurist, po një opisionist si të gjithë të tjerët. Juristët po mbledhin faktet, në bashkëpunim me UEFA-n. Nëse do të vërtetohet komisioni do të japë vendimin e duhur për të eliminuar trukimet.”
Hetimet nisën menjëherë pas takimit ku Tirana po fitonte në pjesën e parë dhe Bylisi e përmbysi në të dytën, por kuotat e basteve sollën dyshime për vërtetësinë e rezultatit. Komisioni i Etikës ka dëgjuar palët dhe të mërkurën do të ketë një tjetër mbledhje për këtë përballje.
Krah Dukës ishte edhe Safet Gjici, kryebashkiak i Kukësit dhe njëkohësisht president nderi i klubit verilindorët. Vetë Gjici, në lidhje me përfundimin e punimeve, ka deklaruar se në shtator-tetor përfundon stadiumi i ri:
“Ne besojmë se në shtator-tetor përfundon dhe do të rikthehemi fuqishëm në fushën tonë. Kemi një ekip shumë të mirë dhe do ta përforcojmë edhe më shumë për rikthyer titullin kampion në Kukës sepse tifozët e këtij qyteti e meritojnë”.