Nga Astrit Patozi
Për Edi Ramën nuk më merr ndonjëherë malli. Jo thjesht se është kundërshtar, por ngaqë mua personalisht ma shpif egocentrizmi dhe hiperprotagonizmi, sidomos në politikë.
Por ka ca ditë që më ka bërë shumë përshtypje mungesa e tij. Jo në ekrane, as në portale, sepse ai nuk ta jep anjëherë këtë shans. Besoj e keni vënë re të gjithë se Edi Rama nuk po ndihet prej kohësh më për koronavirusin, megjithë shtimet tejet shqetësuese të infektimeve në Shqipëri. Saqë duhet se rritja e virulencës së COVID 19 shkon në përpjestim të drejtë me heshtjen e tij. Dhe pyetja është çfarë ka ndodhur?
Ne sigurisht e mirëkuptojmë faktin se ai ka edhe punë të tjera më të rëndësishme për të bërë, por prapëseprapë nuk del llogaria që ta përligjë këtë anashkalim. E dimë për shembull se është më i shqetësuar se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli për hallet e fundit, që e kanë zënë Kosovën, edhe pse nuk kishte pse i bënte gjyq special Gjykatës Speciale, nëse donte të ishte më i besueshëm për të huajt dhe shqiptarët e të dy anëve të kufirit. Por kjo mund të jetë thjesht çështje stili.
E dimë, gjithashtu, se ka qenë shumë i zënë me konçensionin e rrugës Milot – Fier, sepse janë gjithë ato lekë nëpër këmbë dhe nuk është aq e lehtë që ta kapësh në kokë fituesin tre muaj përpara garës. E plot e plot punë të tjera qeverie si këto, që një Zot e di si ia del, dhe në mendje na vjen vetiu ajo shprehja lapidare e Spiropalit. Por prapë kjo nuk e shpjegon dot fshehjen e tij nga tema e rikthimit të frikshëm të koronavirusit në Shqipëri.
Ndoshta qeveria i ka futur një mendje të lehtë dhe mund t’i ketë dhënë drejtim që duhet të mësohemi tani me infektime dhe vdekje më të shumta, por duhet të na e thotë. Por mund të jetë duke u shpikur ndonjë vaksinë nga Akademia e Shkencave, që ne nuk e dimë, ndaj edhe mund të qetësoheshim, po të na e tregonin.
Ajo që nuk kuptohet dot, sido që ta vërtisësh, është fakti se ne para dy muajsh e kishim dy apo tre herë në ditë përpara syve Edi Ramën, duke na mësuar se si të mbroheshim nga armiku i padukshëm. Ai na dilte edhe nga currili i ujit të rubinetave, sa herë që lanim duart dhe na spruconte prej enëve të alkoolit dhe të dezifektantëve, sa herë që spërkasnim sipërfaqet, ku mund të merrej virusi. Dhe po të krahasosh shifrat, i bie që atëherë të qenkemi trembur kot. Dhe ndërkohë Edi Rama na është zhdukur nga radarët, që të paktën të krijonim një ide si po vete kjo punë.
Dashakëqinjtë e qeverisë sot bëjnë pyetjen, në e kishte atëherë gabim Edi Rama, apo po gabon tani? Se të dyja bashkë këto nuk mund të qëndrojnë.
Po të marrësh referencë Merkelin në Gjermani, e ke të lehtë të kuptosh që situata me COVID 19 sot në botë është shumë serioze. Ajo rrallë dilte edhe para tre muajsh, rrallë flet edhe tani për këtë temë. Ndërsa kryeministrin tonë i bie që ta kemi pasur të lirë në miell dhe të shtrenjtë në krrunde.
Që do të thotë se ka gabuar atëherë, po gabon edhe tani. Një herë duke u paraqitur si Skënderbeu, që po i printe fitores së lavdishme, dhe herën tjetër duke u maskuar si fshatar për të mos e pikasur armiku, në çastin që na ka vënë përpara. Është njësoj si ajo anekdota e avokatit me klientin, që i tha se po ta fitonin gjyqin, do t’i ndanin paratë bashkë, ndërsa po ta humbnin, i paguante të gjitha hallexhiu.
Ndaj edhe Edi Ramën e kishim përditë me shpatë në dorë, duke u mburrur me shifra dominuese mbi virusin, atëherë kur mbase nuk duhej fare, ose të paktën, jo në atë masë.
Dhe nuk e gjejmë dot ku është fshehur, tani që duhet patjetër të tregojë se çfarë është duke ndodhur me fitoret apo humbjet mbi armikun e padukshëm dhe sidomos perspektivën e kësaj lufte për Shqipërinë, për të cilën ai krenohet se po e qeveris mirë. Gjithmonë, për aq sa ai di dhe ka në dorë, sepse për të tjerat nuk na duhet.