MENU
klinika

Agron Gjekmarkaj

E drejta për t’u mbrojtur

17.07.2020 - 13:47

Agron Gjekmarkaj

Ndërkombëtarët një e nga një po reagojnë të gjithë kundër tentativës së Edi Ramës për të penguar koalicionet parazgjedhore me ndërhyrjet e tij në Kushtetutë. Për ta bërë disi edhe groteske këtë përpjekje, duhet kujtuar fakti se ky proces ka filluar online në kohë pandemie, ende nën gjendje të jashtëzakonshme. Ambasadorja e SHBAsë, zonja Yuri Kim, e cila flet shqeto siç u pëlqen shqiptarëve, e ka bërë që para një jave të ditur qëndrimin e saj për të miratuar pa asnjë ndryshim marrëveshjen e 5 qershorit, për të cilën gjet kohë për ta përgëzuar vetë Mike Pompeo. Të shumtë janë ata që ende presin një tjetër reagim të saj.

Disi të hutuar, të zënë në befasi nga surpriza e Ramës, edhe të tjerë pas një dremitjeje kuptuan që nuk mund të bënin më fasadën e Kryeministrit, i cili do të rrëmbejë zgjedhjet një vit para se ato të realizohen. Ata ishin mësuar që të përdornin kundër opozitës argumentet e tij. Ndonjë e shihte Kryeministrin si shëlbuesin, liberatorin dhe garantin e demokracisë shqiptare, e cila vazhdonte të shfaqej e vrazhdë se i fusnin ende shkopinj nën rrota dhe s’e kuptonin në thelbin e tij misionar për “Shqipërinë që duam” në Europën që kemi.

Njëri prej tyre është edhe Luigi Soreca, ambasadori i BE-së në vendin tonë, i cili gjithashtu mbështeti linjën e zonjës Kim dhe kërkuar votimin e marrëveshjes.

Pa mëdyshje, pa delikatesë diplomatike, e drejtpërdrejtë dhe kërcënuese ishte deklarata e përfaqësuesit të lartë të Bundestagut gjerman, Wadephul, për gjymtim të perspektivës europiane nëse kjo tentativë bëhet fakt. Por atë që nuk di zotëria gjerman, e dimë ne që jemi këtu. Edi Ramës, në këtë fazë mbi të gjitha i intereson vazhdimësia në pushtet dhe pothuaj fare integrimi. Ky proces i intereson vetëm si makijazh propagande dhe këtë e ka demonstruar me mënyrën e qeverisjes. Rama mendon si të mbajë pushtetin, pa Europës beson se ia gjen përsëri anën. Po ashtu, Komisioneri për Zgjerim dhe zëdhënësja e Komisionit Europian, si dhe tre dinjitarë të lartë të Parlamentit Europian, njëri prej tyre McAllister, të partive kryesore të majta e të djathta, reaguan me ashpërsi për këtë dredhi e pabesi që i bëhet një marrëveshjeje politike të firmosur me dëshmitarë. Siç vihet re, mozaiku i reagimeve po plotësohet çdo ditë me ngjyra të reja.

Fakti që disa ndërkombëtarë tërhiqen apo i fshijnë deklaratat e tyre publike, siç ishte rasti i Parlamentit Europian dje, dëshmon se çfarë na pret nesër.

Gjithashtu, aktiv është rishfaqur edhe Presidenti i Republikës, i cili për nga roli institucional duhet të jetë garanti i Kushtetues. Me të drejtë, ai ka argumentuar se një Parlament me probleme legjitimiteti, i cunguar, në situatë pandemie, me një nxitim të pajustifikuar, në mënyrë të njëanshme prek librin themeltar të shtetit. Po ashtu, opozita e bashkuar ka ngritur tonet duke folur për destabilitet dhe pengim të perspektivës europiane.

Deri tani gjithçka është në nivel retorik. Me gjasë, opozita të gjitha shpresat në këtë betejë, e cila e sheh atë viktimë, por në të njëjtën kohë të pranuar si fituese hipotetike e zgjedhjeve nga Edi Rama, i ka mbështetur te faktori ndërkombëtar.

Rama nuk ka dhënë ende shenja tërheqjeje, përkundrazi u ka mbajtur gjermanëve leksione sovraniteti, megjithëse në çdo qelizë të jetës shoqërore varemi nga BE dhe SHBA. Nuk është çudi që t’ua ndreqë samarin mirë e mirë me Elisën, Ulsiun, Gentin e të tjerë gjatë ditëve në vazhdim.

Nëse ai i shkon kësaj peripecie deri në fund dhe meqenëse po i mbush 8 vjet në pushtet dhe për një mandat të tretë luan me qarin me shpresën që të kalojë lumin, po më vonë gjërat ndreqen rrugës, pyetja është si do të sillet opozita dhe ajo pjesë e shoqërisë që këtë lëvizje e sheh me shqetësim të madh? A do të pranojë ajo në çdo rast faktin e kryer?

Nuk janë të paktë zërat që thonë se po krijohet frymë pro opozitare, madje është Edi Rama që po kontribuon për këtë me nevojën e tij për të bërë atë që ka premtuar se do bëjë. Mundet që këtu ka të vërtetë, por askush nuk duhet të harrojë se më pengimin ligjor të koalicioneve, ai i rrëmben në tavolinë opozitës dy deri në katër deputetë, praktikisht e godet në mundësinë e fitores duke i përzier kartat, duke krijuar kaos e rrëmujë.

Natyrisht, opozita ka nevojë për normalitet që të shpjegojë programin e saj, fabulën politike, të prezantojë ekipin e vet e sidomos të shfaqë optimizëm dhe në asnjë rast frikë para opinionit, por të mbrosh diçka që është e drejtë mbetet domosdoshmëri. Kjo është mënyra sesi Rama lobon dhe ia del. Duhet investuat besim te ndërkombëtarët, por më shume te qytetarët. Serioziteti me të cilin mbrohen kauzat, vështrohet me kujdes nga qytetarët. Nëse Rama nuk u bindet ndërkombëtarëve dhe nëse nuk ka reagim popullor e opozitar, një ditë edhe ndërkombëtarët do të heshtin duke pranuar sjelljen tonë. Ata nuk do të bëjnë betejat tona për demokraci.

Lulzim Basha dhe opozita nuk duhen të kompleksohen aspak për të rifilluar rezistencën për diçka kaq themelore. Nëse para një viti Rama u hoq si viktimë dhe gjestet opozitare nuk u mirëkuptuan, madje u dënuan nga SHBA dhe BE, sot rolet kanë ndërruar dukshëm. Në sytë e zgurdulluar të ambasadorëve, Kryeministri po përpiqet të ndalë rrotacionin që po përvijohet. Ndaj, çfarë thirrjeje mund t’u bëjnë ata nesër qytetarëve që mbrojnë një të drejtë bazike?!

Çfarë leksioni demokracie, çfarë këshille do të jepnin ata në këtë rast? Rama e ka të qartë që zgjedhjet e lira e të ndershme e nxjerrin humbës, ai e di që pa pushtet humbet garancitë jetike, ndaj bën gjithçka për t’i penguar ato me çdo artificë. Po kaq, opozita duhet të ekzekutojë të drejtën e vet për t’u mbrojtur dhe të ftojë këdo që ende beson se Kushtetuta e këtij vendi nuk është lëvere që përdoret si gjethe fiku për sharlatanët. Opozita po bën mirë që pret fuqinë e aleatëve, por le të përdorë edhe fuqinë e vet që sot e ka. Demonstrimi i forcës përgjatë historisë njerëzore i ka shërbyer shpesh paqes dhe demokracisë./panorama