MENU
klinika

Ja ndryshimet mes deklaratave

E fshiu një ditë më parë, PE publikon apelin e 3 eurodeputetëve

17.07.2020 - 09:12

Pak orë pasi u fshi nga faqja zyrtare, Parlamenti Europian ka publikuar sot edhe një herë, pa i ndryshuar asgjë, deklaratën e tre përfaqësuesve të saj, të majtë dhe të djathtë për çështjen e ndryshimeve kushtetuese në Shqipëri, ku i kërkojnë Qeverisë shqiptare të votojë pa humbur kohë paktin e 5 Qershorit.

Siç thuhet sot në faqen e PE, në një deklaratë të përbashkët, tre eurodeputetët dërgojnë një mesazh të fortë: “Nëse Shqipëria dëshiron të fillojë negociatat e pranimit, ajo duhet të përmbushë angazhimet e saj”.

pe sot 17 korrik

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme David McAllister (EPP, DE), Raportuesi i përhershëm për Shqipërinë Isabel Santos (S&D, PT) dhe Kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë Manolis Kefalogiannis (EPP, EL) kërkuan nga parlamenti i Shqipërisë të miratojë me shpejtësi Marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore.

DEKLARATA SOT

“Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. ËShtë e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, të ruhet dialogu dhe konsensusi me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të mblidhet konferenca e parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të vazhdojë procesin e integrimit evropian.

Secili vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në kodin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara.

Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës.

Parlamenti Evropian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë, që janë të domosdoshme për integrimin e vendit në të ardhmen në BE”.

ÇFARË NDODHI DJE

Presioni për një mbështetje nga ndërkombëtarët në lojën për zgjedhjet arriti dje një tjetër rekord që i përshtatet Tiranës.

Rreth orës 5, pasditen e djeshme, tre eurodeputetë që përfaqësonin edhe të majtët, edhe të djathtët në Parlamentin Europian, dakordësuan një deklaratë, ku i kërkohej maxhorancës në Shqipëri t’i qëndronte paktit të firmosur me PD-në e LSI-në më 5 qershor. Deklarata e firmosur nga McAllister, Santos dhe Kelalogiannis, një tjetër formë presioni për PS, u botua në faqen e Parlamentit Europian.

Por, po dje në mbrëmje, rreth orës 10, afër mesnatës, deklarata habitshëm u hoq nga faqja e Parlamentit. Një procedurë që tregon se diçka ka ndryshuar nga qëndrimi i treshes së eurodeputetëve.

“Panorama” u interesua në zyrat e PE-së, nga ku iu konfirmua se deklarata do të rishikohet dhe do të ribotohet edhe një herë sot.

ÇFARË THANË TRE DEPUTETËT

Tre eurodeputetë të Parlamentit Europian kërkojnë miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit pa asnjë ndryshim. Në një deklaratë të përbashkët, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, David McAllister, (PPE, Gjermani), raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Isabel Santos, (Socialistët Europianë, Portugali) dhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë, Manolis Kefalogiannis, (PPE, Greqi) i kërkuan Parlamentit Shqiptar të miratojë sa më shpejt marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore.

“Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis qeverisë dhe opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit dhe për rrjedhojë, të ngadalësojë procesin e integrimit europian”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tre eurodeputetëve.

Edhe pse ata respektojnë të drejtën për ndryshime të vazhdueshme të legjislacionit që lidhet me cilësinë e zgjedhjeve, përfaqësuesit e Parlamentit Europian theksojnë se çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

“Çdo vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës”, vijojnë deklaratën e tyre eurodeputetët.

Faqja e PE me deklaratën e fshirë
Faqja e PE me deklaratën e fshirë

Nuk mungon në deklaratën e tyre edhe ndihma e Parlamentit Europian për të lehtësuar dialogun mes palëve politike në Shqipëri.

“Parlamenti Europian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin Shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë (llogaridhënies) së institucioneve që janë të domosdoshme për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, përfundon deklarata e përbashkët e tre eurodeputetëve.

Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 25 mars 2020, pas propozimeve të Komisionit për një metodologji të rishikuar për zgjerimin. Në qershor të vitit 2020, Komisioni paraqiti draftprojektin për bisedimet, që pasi të finalizohen do të përdoren për të negociuar anëtarësimet në BE të dy vendeve të Ballkanit.

PRESIONI NGA KOMISIONI EUROPIAN

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero, u shpreh dje kundër ndryshimeve të Kushtetutës së Shqipërisë, duke iu bashkuar zërave të partnerëve ndërkombëtarë. Pisonero shkruan në “Twitter” se marrëveshja për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it ishte kusht i Këshillit Europian për negociatat dhe se çdo ndryshim shtesë legjislativ nuk duhet të rrezikojë këtë qëllim parësor.

“Është thelbësore që marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore në Shqipëri të ruhet, duke pasur parasysh domosdoshmërinë për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, një kusht i vendosur nga Këshilli marsin e kaluar para IGC. Çdo ndryshim shtesë legjislativ nuk duhet të rrezikojë këtë qëllim parësor”, shkruan Pisonero.