MENU
klinika

Nga Mentor Kikia

Edi Rama tani është heroi i demokracisë!

21.07.2020 - 10:52

Nga Mentor Kikia

“Këshilli Politik 2”, ashtu siç ishte paralajmëruar, nuk prodhoi asnjë rezultat. Sepse rimbledhja është thjeshtë një akrobaci politike që do ta shpëtojë Edi Ramën nga sikleti ku hyri me propozimin e ndryshimeve kushtetuse sëbashku me opozitën parlamentare.

Madje ai do të dalë i fituar.

Ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, u refuzuan nga PD, e cila dha alarmin në kancelaritë e BE-së, ku reagimi ishte kategorik: “Ose tërhiqini amendimet, ose bllokohet hapja e negociatave”. Rama fillimisht bëri të fortin: Vendimet i marrim vetë – tha ai – pas “ultimatumit” gjerman. Nga “djali i mirë” i ndërkombëtarëve, befas ai u bë problemi.

Nëse vazhdonte të mos i konsideronte kërkesat që erdhën nga Berlni, Brukseli dhe Strazburgu, ai do të merrte koston e bllokimit të negociatave. Nëse do të dilte të kërkonte ndjesë e të tërhiqte amendimet, do të merrte koston politike të “zbythjes”, siç do ta cilësonim ne.

Por Rama nuk këshillohet keq në kësi rastesh!

Ai e ambalazhoi mirë “atë” që bëri me Murrizin dhe ia vuri në tryeze “Këshillit Politik 2”. Sido që të jetë produkti, tashmë do “ta hanë” të gjithë nga pak.

Rama(sikundër Basha) nuk dëshiron ti hapë listat. Nëse do të donte, mund ta kishte bërë që në drafitn e parë të Këshillit. Edhe kur vendosi ti hapë me amendimet kushtetuese, në këmbim të votës së opozitës parlamentare për ndalimin e koalicioneve, e bëri atë pjesërisht.

Por tani ai ka marrë flamurin e demokratit, duke thënë: Të hapim listat, pasi këtë e kërkon populli. Ndërsa PD refuzon kategorikisht ndryshimin qoftë edhe të një presjeje nga marrëveshja e 5 qershorit.

Por çfarë do të dalë nga “Këshilli Politik 2”?

Duket mision i pamundur, që Këshilli të ribëjë reformën zgjedhore, duke dalë përtej marrëveshjes së 5 qershorit.

Por, gjithësesi, nëse hapen edhe vetëm listat(qoftë edhe pjesërisht), Rama do të jetë autori i këtij hapi demokratik.

Nëse nuk ndodh asgjë, marrëveshja nuk preket dhe amendimet kushteuese anulohen, Rama del sërish i fituar: Ai nuk është njeriu që po bën ndryshime kushtetuese të njënashme, por është njeriu që kërkoi hapjen e listave, siç do edhe populli. Por është Basha që nuk pranon. “Ai nuk i do listat e hapura”!

Por Rama fiton edhe diçka tjetër: Ai tërhiqet nga amendimet e njëanshsme kushtuese si pasojë e presionit ndërkombëtar, por tani pa kosto politike, dhe mbetet sërish “djali i mirë” me ndërkombëtarët, që di të zbrapset kur duhet.