MENU
klinika

Interesat e ESM, nën zero!

Fondi i Eurozonës ka 240 mld euro të disponueshme për kredi

30.07.2020 - 10:27

Qeveritë e Eurozonës që marrin hua nga fondi i shpëtimit për t’i bërë ballë pandemisë së koronavirusit, do të paguajnë më pak se ç’kanë marrë dhe vendet më të ndikuara të Jugut, do të përfitojnë më shumë, sipas një deklarate të fondit. Nën marrëveshjen e arritur mes ministrave të Eurozonës në Maj, Mekanizmi Europian i Stabilitetit ka 240 miliardë euro të disponueshme për kredi ndaj 19 qeverive që ndajnë valutën e përbashkët, për t’i mbështetur ato me kostot direkte dhe indirekte të kujdesit shëndetësorë, kurës dhe parandalimit.

Norma e interesit për vendet që marrin hua nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit për 10 vite, qëndronte në zero gjatë Qershorit dhe tashmë ka rënë në -0.12%. Përfitimi është edhe më i madh nëse një vend merr hua për 7 vite, me një normë negative prej 0.26%, duke përfshirë edhe tarifat dhe kostot e mekanizmit. Kosto të tilla janë më pak tërheqëse për vendet e veriut, pasi mund të marrin vetë hua akoma më të lira, pa i’u drejtuar fondit. Megjithatë, norma negative e ESM nënkupton kursime më të mëdha për disa nga vendet më të goditura nga pandemia, si Italia, që mund marrë hua vetë në 1%, apo Spanja, që do të duhet të paguajë 0.35% interes.

Deri më tani, asnjë vend nuk ka aplikuar për linjë të kreditit nga ESM, për shkak se liderët e BE po punonin për marrëveshjen e 390 miliardë euro grante dhe 360 miliardë euro kredi të lira për të financuar rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia e Covid-19.