Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, shprehet se lënia e Shqipërisë jashtë kufijve të Bashkimit Europian ka ardhur nga frika e një vale të re të pandemisë në Austri dhe në vendet anëtare.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ministri austriak shprehet se në Austri ka pasur raste të reja me COVID nga austriakë që kanë udhëtuar në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, Austria është duke e monitoruar në mënyrë të rreptë situatën dhe shprehet se ndalimi i hyrjes nga vendet e treta do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Ministri austriak sqaron se shqiptarët mund të udhëtojnë drejt Austrisë vetëm nëse janë transit nga Vjena me destinacion aeroporte të tjera.
Z. ministër, sot keni njoftuar mbi një paralajmërim udhëtimi për Shqipërinë. Pse u mor ky vendim?
Jam plotësisht i vetëdijshëm se ky vendim, duke pasur parasysh pushimet verore, është një vendim i dhimbshëm për shumë njerëz në Austri. Shumë prej tyre nuk kanë mundur të përqafojnë familjarët apo miqtë e tyre në Ballkanin Perëndimor, të cilët nuk i kanë parë prej muajsh. Kjo, pa dyshim, nuk është e lehtë dhe unë e kuptoj plotësisht këtë. Por në Austri ka pasur raste të reja infektimi, të cilat janë sjellë në Austri nga njerëz që janë kthyer nga Ballkani Perëndimor. Duhet të jemi të kujdesshëm! Duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar një valë të dytë të mundshme!
Greqia ka kërkuar që Shqipëria të mos përjashtohet nga zona e BE-së. A është mbështetur kjo nga vendet e tjera?
Ne kishim shpresuar se do të mund të hapnim kufijtë për Ballkanin Perëndimor në kohë. Por për fat keq nuk ndodhi kështu. Në këtë kohë, gjithsesi, ndalimi i hyrjes nga vendet e treta do të vazhdojë të mbetet në fuqi.
A do të ketë një vendim të ri për Shqipërinë brenda korrikut?
Kam thënë gjithmonë se masat kufizuese në lidhje me udhëtimet duhet të vlejnë për një kohë aq të shkurtër sa të jetë e mundur, por për aq gjatë sa të jetë e nevojshme. Ne po vazhdojmë të monitorojmë rregullisht situatën nga afër dhe do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të lehtësuar situatën, për aq sa do të na e lejojnë të dhënat. Pandemia nuk mund të na ndajë nga partnerët tanë në Ballkan. Por nëse rrezikojmë të kemi një valë të dytë, kjo nuk do të ndihmonte as miqtë tanë. Kujdesi është në të mirën tonë! Është më mirë të jemi të sigurt, se sa të keqardhur. Kjo është veçanërisht e vërtetë sa u përket udhëtimeve gjatë kësaj vere.
Shtetasit shqiptarë nuk mund ta përdorin aeroportin e Vjenës si pasojë e këtij vendimi. Sa do të zgjasin këto masa kufizuese?
Përjashtim nga ndalimi i udhëtimit përbëjnë pasagjerët që udhëtojnë transit, duke garantuar se udhëtimi i tyre transit do të vazhdojë menjëherë dhe duke paraqitur një provë për këtë.