MENU
klinika

Listat nga ISSH

Gati pensionet dhe shtesat edhe për 271 përfitues

18.07.2020 - 09:47

Edhe qindra pensionistë të tjerë në të gjithë vendin kanë tashmë gati pensionet dhe shtesat suplementare të llogaritura në vijim të zbatimit të ligjit Nr.29\2019. Sigurimet shoqërore kanë shpallur gjatë ditës së djeshme listën e 271 përfituesve të rinj që do të mund të tërheqin pagesat suplementare për punët e kryera në industrinë e naftës dhe të gazit, në miniera nëntokë, si dhe metalurgjisë. Listën e plotë të pagesave të llogaritura përgjatë kësaj jave e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit, ku për secilin prej tyre konfirmohet edhe qendra se ku do të mund të tërhiqet pensioni apo shtesa që ju takon.

Autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore shtojnë më tej se procedurat e llogaritjes së pagesave suplementare për këto kategori profesionesh do të vijojnë edhe përgjatë ditëve në vijim pasi janë ende me mijëra kërkesa të tjera të depozituara nga aplikuesit që plotësojnë kushtet e përcaktuara.

Përfitimi, sipas përcaktimeve në ligjin Nr. 29/2019, jepet me kërkesën që i interesuari ka depozituar pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij, ose pranë sporteleve të shërbimit në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve të ISSH-së.

Përfitimi i shtesave mbi pensionin aktual

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës tre janë kategoritë që kanë të drejtë të sigurojnë shtesën mbi pension për punët e kryera në këto struktura. Konkretisht, shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe mbi pensionin e invaliditetit, mund ta përfitojnë ish-punonjësit, sipas përcaktimeve në ligjin për trajtimet suplementare, të cilët kanë përfituar pension pleqërie ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Shtesën mbi pension e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj. Gjithashtu shtesën mbi pension e përfitojnë edhe personat që marrin pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, kur data e lindjes së të drejtës për pension është deri më 31.12.2014.

Pensioni për shkak të profesionit

Këtë lloj pensioni kanë të drejtë që ta përfitojnë ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë; trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

Të drejtën e marrjes së këtij lloj përfitimi e gëzojnë edhe të gjithë ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”.

Po ashtu kanë të drejtë që të marrin pension për shkak të profesionit edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kategoria tjetër që trajtohet me pensione të kësaj kategorie janë edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.

Llojet e përfitimeve suplementare nga zbatimi i ligjit Nr.29\2019:

Pension për shkak të profesionit (llojit të punës).
Shtesë mbi pensionin e pleqërisë.
Shtesë mbi pensionin e invaliditetit.