MENU
klinika

Veprimet me kartë arritën nivelin më të lartë vjetor

Hapja e ekonomisë rrit pagesat

13.07.2020 - 13:29

Hapja e ekonomisë në muajin maj ka sjellë edhe një rritje të ndjeshme në numrin dhe volumin e pagesave. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se veprimet me kartë bankare, përfshi tërheqjet cash dhe pagesat elektronike, u rikthyen pranë niveleve të fillimit të vitit. Për muajin maj total i transaksioneve me karta bankare arriti në pothuajse 20 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë të vitit 2020.

Ndikimin kryesor e dhanë tërheqjet cash nga bankomatet, që u rritën me 28% krahasuar me prillin dhe arritën një vlerë totale prej 17.5 miliardë lekësh. Tërheqjet nga bankomatet dominojnë veprimet me kartë në Shqipëri, me rreth 88% të volumit total të transaksioneve me këto instrumente. Kjo lidhet kryesisht me nivelin e lartë të përdorimit të cash në ekonominë shqiptare.

Sidoqoftë, edhe pagesat automatike me kartë në pikat elektronike të shitjes u rritën ndjeshëm gjatë muajit maj dhe arritën në 1.7 miliardë lekë, 36% më shumë se prilli. Megjithë rritjen e ndjeshme, pagesat elektronike ende nuk kanë arritur nivelet e muajve janar dhe shkurt, e ndikuar kjo sidomos nga rënia e aktivitetit në sektorin turistik.

Sipas statistikave më të fundit, shqiptarët kanë në përdorim rreth 1.2 milionë karta bankare, në pjesën dërrmuese karta debiti të lidhura me llogaritë rrjedhëse të individëve. Veprimet me kartë janë një tregues i tërthortë i tendencës së pagesave dhe përdorimit të parasë nga konsumatorët shqiptarë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ngrin" pagesa e kredive, për 3 muaj

Bankat nuk do kërkojnë shlyerjen e kësteve