MENU
klinika

Nga 1 janari do e paguajnë mbi 10 milionë lekë

Hiqet TVSH nga zero për profesionet e lira

31.07.2020 - 08:02

Kontabilistët, audituesit, noterët, avokatët, vlerësuesit e pasurive dhe të gjithë profesionet e tjera të lira, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, nuk do të paguajnë më TVSH-në nga zero, por mbi qarkullimin vjetor prej 10 milionë lekësh, ashtu si gjithë bizneset e tjera.

Ndryshimi është publikuar në Fletoren e fundit zyrtare, në të cilin u miratua dhe rritja e kufirit minimal të regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar nga 2 në 10 milionë lekë, nga 1 janari I vitit të ardhshëm.

I njëjti shfuqizoi dhe pikat 2 dhe 3 të nenit 11 të vendimit Nr. 953, datë 29.12.2014 për dispozitat zbatuese të ligjit të TVSH-së. Pika 2 e këtij neni përcaktonte se “Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero. Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit”.

Ky nen nga 1 janari 2021 shfuqizohet.

Është rritur pragu i TVSH-së nga 5 në 10 milionë lekë edhe për prodhuesit bujqësore që janë në skemën e kompensimit. Neni 3, që shfuqizohet nga 1 janar përcaktonte se “Për prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik.

TVSH nga zero për profesionet e lira u shoqërua me shumë debate

Profesionet e lira kanë paguar TVSH nga zero, që nga janari i vitit 2015, bazuar në vendimin VENDIM Nr. 953, datë 29.12.2014, PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR. 92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” I NDRYSHUAR, përveç dentistëve, që ndonëse përfshihen në listën e profesioneve të lira hynin te furnizimet e përjashtuara dhe nuk paguanin TVSH.

Ky vendim u kundërshtua fort në atë kohë nga profesionistët e lirë, që argumentuan jo vetëm diferencimin nga subjektet e tjera (në atë kohë kufiri minimal I regjistrimit të TVSH-së ishte 5 milionë lekë), por edhe faktin që ata ofronin shërbim mendor dhe nuk kishin shpenzime ku ta shkarkonin TVSH-së.

Në vitin 2017 Dhoma Kombëtare e Avokatisë çoi në Gjykatë Këshillin e Ministrave, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit. Gjykata e Lartë e rrëzoi pjesërisht vendimin e qeverisë që sanksiononte se profesionet e lira do të paguanin Tatim mbi Vlerën e Shtuar, duke shfrytëzuar handikapin ligjor se Këshilli i Ministrave nuk ka kompetencën për të përcaktuar kategoritë që përjashtohen apo futen në TVSH, por vetëm përcaktimin e kufirit minimal.

Por, në fund po të atij viti, qeveria nxitoi të plotësonte hapësirat ligjore që u shfrytëzuan nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë për të rrëzuar pjesërisht vendimin, duke përfshirë në kompetencat e saj dy pika specifike: kufirit minimal për t’u përfshirë në TVSH si dhe atributi për ata që përjashtohen dhe hyjnë në skemë.

Këto vendime “korrigjuan” atë që përcaktoi Gjykata e Lartë për avokatët ku pati një shfuqizim të pjesshëm ligjor që i hapi rrugë gjithë çështjes së profesioneve të lira të bënin të njëjtin veprim. Avokatët ishin të përjashtuar nga skema falë këtij vendimi ndërkohe që asnjë nga grupet e tjera nuk e çoi çështjen në Gjykatë për të përfituar të njëjtin trajtim kjo edhe për faktin se koha nuk premtonte ndërkohe që qeveria rregulloi “ngërçin” ligjor.

Si rrjedhojë, të gjitha profesionet e lira, përveç dentistëve e mjekëve u detyruan të paguanin TVSH-në nga zero.

Por, tashmë nga 1 janari 2021, ata do të trajtohen si gjithë subjektet e tjera dhe do të paguajnë TVSH vetëm kur të kalojnë qarkullimin vjetor prej 10 milionë lekë.