Superliga e Kosovës uli siparin e sezonit të futbollit elitar. Gjilani i Gentjan Mezanit, ku aktivizohen një numër i madh futbollistësh, që më herët janë aktivizuar në Kategorinë Superiore në Shqipëri, duke filluar nga Frashëri, Veliu, Progni, Plaku, Useini, Xhekson, portieri Ruçi, si dhe Nikaç, siguroi Europën.
Me triumfin e sotëm ndaj Flamurtarit të Prishtinës në transfertë, me rezultatin 0-1 falë golit të Razak, skuadra e Gjilanit, për herë të parë në histori, siguroi një vend në Europa League nga kampionati, duke u renditur në vendin e dytë.
Gjilanasit lanë pas Ballkanin që u rendit në vendin e tretë, i cili ka dhe një tjetër shans për të shkuar në Kupat e Europës, pasi do të luajë në finalen e Kupës ndaj Prishtinës.
Drita e kishte siguruar titullin një javë më parë dhe do të marrë pjesën në turin paraeliminator të Champions League. Pra, dy ekipe të gjilanit në Europë, historike. Ndërkohë, sa u përket skuadrave që ranë një kategori më poshtë ato janë 4: Flamurtari, Ferizaj, Vushtrria dhe Dukagjini.