MENU
klinika

E sfidon vetëm Ronaldo

Immobile, një hap larg dy “Këpucave të Arta”

27.07.2020 - 15:06

Juventus siguroi matematikisht titullin e 9-të radhazi kampion në Itali, por “mbreti” i Serie A mbetet Ciro Immobile, sa i takon kryegolashënuesit. Sulmuesi i Lazios, me tripletën e mbrëmjes së djeshme ndaj Hellas Verona, barazoi Robert Lewandowski në garën për “Këpucën e Artë” në Europë.

Ky ishte tregolëshi i tij i dytë në Serie A, me dy javë të mbetura nga fundi i kampionatit. Kjo tripletë e pozicionoi mirë në raport me ndjekësin më të afërt, Cristiano Ronaldo, në garën për “Këpucën e Artë” në Serie A.

Portugezi shënoi vetëm një gol ndaj Sampdorias mbrëmë, duke pasur tashmë 31 “rrjeta” në këtë kampionat. E thënë ndryshe, ka tre gola më pak se Immobile. Natyrshëm, kjo garë mbetet jo vetëm e hapur mes të dyve, por edhe e ethshme, me shpresën se do të mbetet e ndershme edhe në dy ndeshjet e fundit, ku Ronaldo do të luajë kundër Cagliari në transfertë dhe Romës në shtëpi.

Ndërsa Immobile ndaj Brescias në shtëpi dhe Napolit në transfertë. Nëse sulmuesi bardhekaltër shënon edhe një gol, ia heq përfundimisht të drejtën Lewandowski për të fituar “Këpucën e Artë”.

Pastaj, beteja e tij në kontinent dhe Serie A mbetet e hapur vetëm me CR7. Kujtojmë se çdo gol i shënuar në top-5 ligat kryesore europiane vlen 2 pikë në përllogaritjen përfundimtare të klasifikimit të “Këpucës së Artë”, ndërsa kampionatet e tjera nga 1.5 pikë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bastet e favorizojnë për titullin nr.10

Shifrat e Juves kampione, sa Inter e Milan bashkë