Personat që e kanë kaluar koronavirusin mund ta humbasin imunitetin ndaj sëmundjes brenda disa muajve. Kjo sipas një studimi të realizuar nga britanikët, sipas të cilit, virusi mund të ri infektojë të njëjtit persona pas një viti, ashtu si gripi sezonal.
Në këtë studim të realizuar nga King’s College në Londër, i pari i këtij lloji, shkencëtarët analizuan përgjigjen imune të më shumë se 90 pacientëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor në fondacionin Guy dhe Shën Thomas të Shërbimit Kombëtarë Shëndetësor.
Kështu, kërkuesit zbuluan se nivelet e antitrupave që mund ta shkatërrojnë virusin arritën maksimumin tre javë pas nisjes së simptomave dhe më pas nisin të bien.
Analizat e gjakut treguan se ndërsa 60% e personave që morën pjesë në studim patën një përgjigje të “fuqishme” me antitrupa në në kulmin e betejës së tyre me virusin, vetëm 17% prej tyre ruajtën të njëjtat nivele tre muaj më vonë, shkruan The Guardian.
Nivelet e antitrupave ranë 23-fish gjatë kësaj periudhe. Ndërsa, në disa raste, ato u bënë të padedektueshme.
“Njerëzit janë duke prodhuar një përgjigje të arsyeshme të antitrupave ndaj virusit, por kjo sasi vjen duke u zvogëluar për një periudhë të shkurtër kohore dhe në varësi të ‘pikut’ që ju arrini, përcaktohet edhe antitrupat do qëndrojnë,” tha Dr. Katie Doores, autore kryesore e studim në King’s College në Londër.