Një “pneumoni e panjohur” e re që është potencialisht më vdekjeprurëse sesa coronavirusi i ri raportohet se ka vrarë më shumë se 1.700 njerëz këtë vit në Kazakistan, sipas një paralajmërimi të lëshuar nga zyrtarët kinezë të enjten.
“Departamenti i Shëndetësisë Kazakistani dhe agjencitë e tjera po kryejnë hulumtime krahasuese dhe nuk kanë përcaktuar natyrën e virusit të pneumonisë”, ka thënë Ambasada kineze në Kazakistan në një deklaratë për qytetarët e saj atje, shkruan CNN.
Dhe siç shkruan më tej CNN, rastet e reja të pneumonisë së paidentifikuar janë rritur në mënyrë të konsiderueshme që nga mesi i qershorit në të gjithë vendin, tha ambasada, duke shtuar se në disa vende, autoritetet po raportojnë qindra raste të reja në ditë.
Siç bëhet e ditur, rritja deri tani është përqendruar në rajonet e Atyrau, Aktobe dhe Shymkent, të cilat së bashku kanë pothuajse 500 raste të reja dhe më shumë se 30 pacientë me sëmundje të rëndë, thuhet në deklaratën e ambasadës, duke cituar mediat lokale.
Sëmundja ka vrarë 1,772 njerëz këtë vit, disa prej të cilëve ishin shtetas kinezë, sipas ambasadës. Dhe 628 prej këtyre vdekjeve kanë ndodhur vetëm në qershor.
“Kjo sëmundje është shumë më vdekjeprurëse sesa Covid-19”, thuhet në deklaratë.
Sipas shkrimit të publikuar nga CNN, numri i rasteve të pneumonisë në kryeqytetin Nursultan është dyfishuar këtë qershor nga e njëjta kohë e vitit të kaluar, sipas agjencisë së lajmeve të Kazakistanit, Kazinform, e cila citoi të dhënat zyrtare.
“Deri në 200 njerëz pranohen në spitale çdo ditë. Gjatë ditëve të fundit rreth 300 persona të diagnostikuar me pneumoni u dërguan në spitale në ditë. Përveç këtyre, disa po marrin trajtim në shtëpi”, tha drejtori i departamentit të kujdesit shëndetësor të Nursultan, ka raportuar Kazinform.
Ambasada kineze paralajmëroi banorët në rajon të kufizojnë daljet dhe të shmangin vendet e mbushura me njerëz.
Ajo gjithashtu inkurajoi masat parandaluese si veshjen e maskave, dezinfektimin e hapësirave, larjen e duarve shpesh dhe lejimin e qarkullimit të mirë të ajrit në hapësirat e brendshme.
CNN thotë se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur raportin e ambasadës kineze dhe i ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë në Kazakistan për detaje të mëtejshme.
Paralajmërimi vjen ndërsa Kazakistani vazhdon të luftojë me një rritje të rasteve me COVID-19, e cila ka infektuar 53.021 njerëz dhe vrarë 264 njerëz deri tani, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.