Në Konferencën e Donatorëve të zhvilluar nga Bashkimi Europian në fillim të këtij viti, Shqipëria arriti të sigurojë 1 miliardë euro fonde, të ndara në grante dhe kredi të buta, si pjesë e programit të Rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.
Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, që kryesohet nga Ursula Von der Leyen i dedikoi Shqipërisë 100 milion euro, të cilat janë grante dhe nuk do të kthehen mbrapsht.
Këto fonde tashmë janë disbursuar në drejtim të qeverisë shqiptare, sipas njoftimi të kryer nga Delegacioni i BE në Shqipëri.
Fondi prej 100 milion eurosh do të ndahet në dy drejtime kryesore ku 50 mln euro do t’i dedikohen programit për rehabilitimin dhe rindërtimin e shkollave dhe institucioneve arsimore, ndërsa 50 mln euro të tjera do të shkojnë për rehabilitimin e zonave të dëmtuara të trashëgimisë kulturore.
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, u shpreh se:
“Me miratimin e kësaj pakete financiare prej 100 milionë Eurosh, Bashkimi Evropian po mban angazhimin e tij për ta ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit, ashtu siç po e mbështesim vendin për të përballuar pasojat e krizës COVID-19.
Së bashku me shumën fillestare që KE dha menjëherë pas ndodhisë tragjike të tërmetit prej 15 milionë eurosh, shuma totale që është dërguar si ndihmë drejt Shqipërisë arrin në vlerën e 115 milionë eurove.”