Një tjetër raport negativ për situatën e ekonomisë shqiptare. Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, që publikohet një herë në tre muaj, vendi ynë renditet në vendet me tkurrje më të madhe ekonomike në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit. Konkretisht në tre muaj për shkak të dëmtimeve që shkaktoi pandemia ekonomia vendase është tkurrur me 2,5%, ndryshe nga vendet e tjera fqinje të cilat kanë shënuar përmirësim në 3 mujor.
“Në të dhënat e tremujorit të parë, Shqipëria regjistroi rënie reale prej 2.5% me bazë vjetore, recesion i thellë ekonomik në pak muaj, ndërsa shtetet e tjera panë ngadalësim të rritjes. Maqedonia e Veriut kishte një rritje minimale prej 0.2%, Kosova me 1.3%, Mali i Zi me 2,7 %, Bosnja me 2%. Rritjen më të lartë e shënoi Serbia me 5%, ndonëse me ngadalësim në raport me tremujorin e mëparshëm”, thuhet në raport. Sakaq në raport sqarohet se pandemia e gjeti në gjendje të rënduar ekonominë shqiptare, pasi kishte filluar rënia që prej viti të shkuar.
Në të dhënat e KE tregohet se vetëm në muajt e fundit të vitit 2019 ekonomia pësoi 0,15 tkurrje. Kjo shfaqje negative ekonomisë vjen për shkak të reduktimit të ndjeshëm në muajt e fundit, nga ku 16,7 % rënie vetën në 3 mujorin e fundit. Lëvizja e tregjeve gjithashtu shfaqet në linja negative, për shkak se edhe konsumi ka mbetur në linja zbritëse edhe pse ekonomia është hapur që prej muajit maj. “Shqipëria ka hyrë në recesion të thellë, pas tkurrjes me 0.1% në tremujorin e fundit 2019 dhe rënies prej 2.5% në tre muajt e parë 2020. Investimet ranë me 16.7% me bazë vjetore në tremujorin e parë, pas tkurrjes me 12% në të katërtin. Eksportet si të shërbimeve ashtu dhe mallrave ranë me 2.1% me bazë vjetore, në kontrast me tendencën e fortë rritëse në dy tremujorët e mëparshëm. Konsumi privat vazhdon të mbetet i ndrydhur dhe me hapjen e ekonomisë”, thuhet në raport. Më tej theksohet fakti se, efektet e krizës së Covid-19 në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor u bënë të dukshme që në tremujorin e parë 2020, me rritjen e Ballkanit që u ngadalësua në 2.5%, nga 4.3% në tremujorin e mëparshëm.
Reduktimi i vendeve të punës
Sakaq sipas të dhënave të raportit vërehet se zëri që në çdo sektor që përkeqësoi me tej gjendjen ekonomike ishte rënia e punësimit. KE tregon se në pak muaj shumë shqiptarët kanë humbur vendet e punës, sidomos në sektorin e shërbimeve dhe të eksport-importit me vendet fqinje. “Tregu i punës shënoi rënie, të lehtë në tremujorin e parë, në raport me të mëparshmin, duke treguar shenjat e para që pandemia do të ketë në punësim. Humbja më e lartë e vendeve të punës ishte në shërbime, kryesisht në sektorin e bareve e restoranteve, sidomos ato të zonave turistike. Duke vazhduar më tej me shkurtim të stafit në kompanitë e mëdha të prodhimit që lidhen me eksportet në Itali, si dhe ato të shërbimeve me thirrje telefonike”, thekson KE.
Gjithsesi raporti tregon se pas reduktimit të vendeve të punës, sektori që i dha goditje më të madhe ekonomisë është ai i ndërtimit. Ndërsa sektori i bujqësisë qëndroi në linja të qëndrueshme. “Tkurrja në tremujorin e parë u udhëhoq nga ndërtimi, që kontribuoi në gjysmën e rënies, pavarësisht projektit për rindërtim. Projektet në këtë sektor u stopuan dhe po ashtu rekrutimi i punonjësve. Me përjashtim të bujqësisë dhe aktiviteteve të pasurive të patundshme, prodhimi ekonomik u tkurr në të gjithë sektorët, duke reflektuar ndikimin e hershëm të pandemisë në mars”, thuhet në raport. Sipas raportit, mbështetja e qeverisë për bizneset dhe individët është 45 miliardë lekë, ose 2.8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Raporti vlerëson që deri diku ishte pozitive mbështetja, por jo e mjaftueshme për rimëkëmbje në muajt në vijim.