Keidi Bare duket se në sezonin e ri do ta shohim në një tjetër klub spanjoll, por në La Liga 2. Në ditët e fundit ka shumë zëra se Espanyol është klubi që kërkon me ngulm në ekip mesfushorin e kombëtares. Këtë në fakt e pranon edhe drejtori sportiv i Malaga-s, Gaspar Manolo.
Katalanasit, që ranë këtë sezon nga La Liga, janë shumë pranë Bares, me këtë të fundit që ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Espanyol. “Ndoshta duhet ta shesim, jo me çdo çmim, por me atë që përcaktojmë se është i dobishëm për të gjithë,” – tha Manolo.
Málaga kërkon mes 1.5 dhe 2 milionë euro për transferimin e shqiptarit. Keidi Bare ka kontratë deri në vitin 2021 me Málaga dhe oferta e Espanyol është më interesantja në tryezë, për shkak të potencialit ekonomik të klubit katalanas dhe gjendjen e vështirë financiare që po kalon klubi i Malaga-s.
Nëse marrëveshja arrihet, Bare do të ishte në pritje të trajnerit të ri, pasi Espanyol e ka shkarkuar. Mesfushori shqiptar do ta ndihmonte ekipin katalanas të rikthehej në elitën e futbollit spanjoll, teksa ra pas 27 vitesh.
Drejtori sportiv i Malagas nuk e përjashtoi një mundësi për rimarrjen e Armando Sadikut, megjithëse opsionet janë shumë të kufizuara. “Sadiku duhet të kthehet në klubin e tij. Ai dëshiron një projekt të rëndësishëm. Ka edhe një vit kontratë me Levanten dhe do të përpiqet të bëjë një lëvizje për të përfituar” – deklaroi Manolo. Me pak fjalë, Bare dhe Sadiku duken larg Malaga për sezonin e ardhshëm.