MENU
klinika

"Çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë?"

Koronavirusi/ Eksperti i Shëndetit Publik këshilla për të moshuarit

06.07.2020 - 07:57

Nderkohe qe rastet e te prekurve me koronavirus rriten dita dites dhe perdite nuk kane munguar edhe humbjet e jeteve, eksperti i shendetit publik, Erion Dasho del sot me keshilla te posacme per te moshuarit.erion dasho infektiv

Si duhet te sillen ata ne nje situate te tille, qe nga levizjet, daljet ne ajer te paster e deri te frekuentimi i bareve dhe plazheve.

“Popullata nuk duhet trajtuar sipas parimit “një masë u shkon të gjithëve”, por duke veçuar grupet në risk të lartë prej atyre me risk të ulët dhe duke zbatuar masa dhe ndërhyrje inteligjente”- shkruan ai.

Postimi nga Erion Dasho

KËSHILLA PËR TË MOSHUARIT NË KOHËN E COVID

Që në fillimet e epidemisë së COVID, sugjerimi im ka qënë se popullata nuk duhet trajtuar sipas parimit “një masë u shkon të gjithëve”, por duke veçuar grupet në risk të lartë prej atyre me risk të ulët dhe duke zbatuar masa dhe ndërhyrje inteligjente.

Një familje, e përbërë vetëm nga prindër me moshë të re dhe fëmijë me moshë nën 15 vjeç, ku asnjë nga bashkëshortët nuk vuan prej ndonjë sëmundjeje kronike, e ka riskun të ulët dhe nuk ka nevojë për masa shtesë (mjafton higjiena personale dhe mbajtja e maskës në mjedise publike të mbyllura).

Personat me moshë mbi 65 vjeç dhe/ose ata të prekur nga sëmundje kronike kanë një risk shumë herë më të lartë për të zhvilluar forma të rënda të sëmundjes dhe komplikacione dhe kanë nevojë për masa shtesë. Atyre u kam dhënë vazhdimisht këshillat e mëposhtme, të cilat tani po i përmbledh në një status të vetëm:

1. Mundohuni të jetoni në banesë të veçuar nga pjestarët e tjerë të familjes. Kur nuk është e mundur, qëndroni sa më gjatë në dhomë më vete, flini veç, konsumoni vaktet veç dhe mbajeni shtëpinë dhe dhomën tuaj të ajrosur mirë. Shmangni gjestet e afeksionit si puthje, përqafime me pjestarët e tjerë të familjes.

2. Shmangni shkëmbimin e vizitave në banesë (pritje apo shkuarje).

3. Bisedoni me të tjerët vetëm në mjedise të hapura, mundësisht me maskë, ose në distancë të paktën 1.5 m larg nga të tjerët. Mundohuni që biseda të mos zgjatë më shumë se 10 minuta. Sa më pak, aq më mirë.

4. Shmangni ecjen në rrugë apo parqe në orare piku, duke shfrytëzuar mëngjesin herët. Mundësisht ecni vetëm me bashkëshorin/en, ose në shoqëri që nuk ndryshon shpesh. Një variant do të ishte: shëtitje me të njëjtin fqinj ose grup shoqëror, të paktën për 10 ditë rresht, 3-4 ditë vetëm ose me bashkëshortin/en dhe pastaj, në se dëshirohet, shëtitje me një grupim të ri shoqëror. Sa më pak persona në grup, aq më mirë.

5. Shmangni transportin publik, sepse parashikoj se shumë persona nuk do t’i zbatojnë masat mbrojtëse.

6. Vizitoni sa më rrallë njësitë e shërbimit (ushqimore, berber, parukier, etj.) dhe, kur vizita është e domosdoshme, vendosni maskë dhe shkoni gjithmonë në orët e para të mëngjesit (mundësisht të jeni klientët e parë).

7. Shmangni baret dhe restorantet. Në se shkoni, qëndroni në tryezë të veçuar, vetëm me bashkëshortin/en. Kërkojini kamarierit të dizinfektojë tryezën dhe të mos prekë bishtin e filxhanit, lugën, thikën, pirunin, etj.

8. Qëndroni në plazhe ku ka frekuentim të paktë dhe mund të respektohen lehtësisht distancat. Edhe këtu vlen qëndrueshmëria në grupimin shoqëror.

9. Në se jeni të prekur nga sëmundje kronike, kontaktoni mjekun kurues një herë në muaj nëpërmjet telefonit. Shmangni vizitat në spital apo qendër shëndetësore me inicijiativën tuaj, duke shkuar vetëm kur mjeku apo personeli i urgjencës mjeksor ua rekomandon këtë. Në se shkoni në qendër shëndetësore mbani gjithmonë maskë dhe kërkoni nga personeli mjeksor të mbajë maskë. Në se shtroheni në spital, zbatoni të njëjtin parim të mbajtjes së maskës dhe kërkoni të trajtoheni në një dhomë individuale të ajrosur mirë.

10. Shmangni radhat në marrjen e pensionit, aplikimin ose marrjen e dokumenteve zyrtare, etj.

11. Mbani me vete një maskë të pastër dhe përdoreni sa herë e gjeni veten në një situatë që ju ekspozon ndaj COVID.

Do t’u rekomandoja antarëve të Komitetit të Ekspertëve, Departamentit të Promocionit të Shëndetit apo organizatave jo qeveritare, të bënin një spot publicitar, poster apo fletëpalosje me këto këshilla për t’ua shpërndarë të moshuarve së bashku me pensionin.

TË MBROJMË PRINDËRIT TANË!

Dyshohet se bashkëpunonin me grupe të huaja kriminale

Disa të ndaluar nga aksioni antidrogë në Tiranë

Akuzat se u fut në listën e sigurt të PS-së me ndihmën e personazhit të krimit

Jurgis Çyrbja merret në pyetje! Çfarë deklaroi para prokurorëve të SPAK

Ish-kryeministri: Vazhdoj betejën i palëkundur

Gjyqi ndaj Berishës në të njëjtën ditë me protestën te Kuvendi!