MENU
klinika

U shkarkua nga detyra më 2019

KPA lë në fuqi vendimin e KPK-së për Prokurorin e Dritan Dajtit

03.07.2020 - 18:03

KPA-ja ka lënë në fuqi vendimin e shkurtit 2019 të KPK-së për shkarkim nga detyra të prokurorit Artan Bajrami, duke e lënë përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë.

Ai u rivlerësua në të tri kriteret, ku për dy prej tyre, atë pastërtisë së figurës dhe profesionalizimin mori nota pozitive, por u gjetën probleme në deklarimin e pasurisë.

Relatorja Suela Zhegu vuri në dukje gjatë seancës dëgjimore të mërkurën se; pavarësisht raportit pozitiv nga ILDKPKI, Bajramit i ishin gjetur një sërë problemesh mbi pasuritë pas hetimit të thelluar të KPK-së. Zhegu theksoi se Bajrami kishte bërë deklarim të pasaktë në “Deklaratën Veting”. Ai kishte deklaruar aty se një pagesë sipas Zhegut, prej 1.5 milionë lekësh për të blerë apartamentin 110 metra katrorë në Tiranë në vitin 2000 ishte mbuluar nga kursimet dhe nga shitja e një shtëpie në Gramsh për 4 mijë dollarë.

KPK, kishte zbuluar se ky deklarim ishte i pasaktë. Ndër të tjera 4 mijë dollarë që supozohej të ishin shpenzuar në vitin 2000, rezultonin të ishin deklaruar kursime nga Bajrami në vitin 2003. Relatorja vuri në dukje se kur i ishte kaluar barra e provës rreth këtij deklarimi Bajrami kishte ndryshuar atë duke i thënë KPK-së se paratë për të paguar këtë këst të shtëpisë i ishin dhuruar nga baxhanaku, Llazar Angjeli, i cili është biznesmen në fushën e hidrokarbureve dhe produkteve ushqimore. Nga relacionit doli se ai i kishte bërë edhe dhurata të tjera familjes së prokurorit, përfshi pagesën e qirasë pas transferimit në Tiranë dhe një sërë ndihmash të tjera në vlerë 2.2 milionë lekë. KPK tha se personi i lidhur në këtë rast kishte burim të ligjshëm.

Vetë Bajrami tha gjatë fjalës së tij në seancën dëgjimore se kishte një marrëdhënie të ngushtë familjare me baxhanakun, gjë që shpjegohej edhe nga dhuratat. Ai pohoi se në vitin 2000, Angjeli ishte ofruar të blinte apartamentin dhe t’ia linte atij në përdorim pa dëmshpërblim. Prokurori tha se për shkak të karakterit dhe dinjitetit nuk e kishte pranuar këtë dhuratë, por kishte pranuar pagesën e këstit për shtëpinë dhe se pjesën tjetër 5 milionë lekë e kishte paguar me kredi. Ai tha se kishte fatura që sqaronin faktin se pagesa ishte bërë prej Angjelit dhe jo prej tij dhe po ashtu pranoi pasaktësinë duke kërkuar që të shihej si lapsus i tij.

Prokurori pretendoi se nuk kishte bërë deklarim të rremë dhe as kishte synuar të fshihte pasurinë, sipas tij, provë për këtë ishte fakti se ai kishte deklaruar në vitin 2003 se shuma prej 4 mijë dollarësh që ishte përfituar nga shitja e shtëpisë në Gramsh ishte e kursyer. Ai tha se nuk mund ta kishte kursyer këtë shumë nëse do e kishte përdorur atë 3 vjet më parë.

Lidhja financiare mes familjes Bajrami dhe asaj të baxhanakut u përmend nga KPK edhe për për faktin se prokurori dhe i biri kishin përdorur kryesisht për dalje jashtë vendit, por edhe brenda Shqipërisë një makinë BMW X5 që rezultonte në pronësi të kompanisë së sigurimeve “AN SECURITY”, që siç doli gjatë seancës, drejtohej nga djali i Llazar Angjelit, raporton asokohe BIRN.

Relatorja tha më 13 shkurt 2019 se policat e sigurimit për këtë makinë ishin paguar nga Bajrami dhe i biri dhe nëse në disa raste ata ishin shënuar aty si përdorues, në raste të tjera ishin shënuar si pronarë, gjë që ngjalli dyshime për pasuri të fshehur.

Prokurori mohoi që makina të ishte në pronësi të tij dhe të birit. Ai sqaroi çështjen e policave të sigurimit që sipas tij kishte të bënte me faktin se i biri kishte punuar në kompaninë e kushëririt të tij. Ai tha se vetë nuk kishte pasur nevojë për makinë pasi me ligj që prej vitit 2004 ishte i pajisur me makinë dhe me shofer për shkak të funksionit.

Komisioni po ashtu e kishte gjetur si jo bindës arsyetimin e Bajramit se pse ai nuk kishte paguar 10 mijë euro për një apartament në Golem. Sipas relatores, nga kontrata ishte parashikuar që vetëm 1500 euro mund të mbaheshin deri në përfundimin e apartamentit, por prokurori nuk kishte shlyer 10 mijë dollarë.

Gjatë seancës dëgjimore KPK vuri në dukje se ndaj Bajramit nuk kishte asnjë denoncim dhe se ai kishte marrë vlerësim pozitiv si nga DSIK si nga Prokuroria e Përgjithshme në kriterin profesional. Sipas KPK-së ndaj tij nuk kishte pasur asnjë vërejtje dhe se përgjithësisht Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda kishte pranuar konkluzionet e akuzës në çështjet që ai kishte përfaqësuar.