Christian Schmidt, një nga figurat kryesore të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, si dhe raporter për Shqipërinë në Grupin Parlamentar CDU/CSU ka tërhequr vëmendjen e kryeministrit Edi Rama për të mos bërë veprime të njëanshme me ndryshimin e kushtetutës dhe heqjen e të drejtës për koalicione parazgjedhore sipas vullnetit të partive.
Duke iu referuar lajmit më të hershëm të marrëveshjes mes partive politike, bazuar në dakordësinë e 5 Qershorit, ish ministri në qeverinë e kancelares Merkel, e konsideron atë një sukses të madh që forcon demokracinë në Shqipëri. “Partia Socialiste po tenton ndryshime jashtë marrëveshjes: heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore.Për të favorizuar vetveten?” thekson raporteri i CDU/CSU për Shqipërinë në Bundestagun gjerman.
“Me shqetësim të madh po shoh se Partia Socialiste po tenton ndryshime të tjera jashtë marrëveshjes: konkretisht po tenton heqjen nga Kushtetuta të së drejtës për koalicione parazgjedhore. Për të favorizuar vetveten? Bëni kujdes! Ndryshime të tjera bëhen vetëm, nëse partitë e rëndësishme brenda dhe jashtë parlamentit bien dakord për to.
Jam i bindur se kryeministri Rama, i cili është edhe kryetar i radhës së OSBE-së, do ta mbrojë frymën e marrëveshjes së 5 qershorit mes të gjitha partive. Besimi reciprok është i domosdoshëm!”- shkruan raporteri i CDU/CSU për Shqipërinë në Bundestag.
Paralajmërimi për kryeministrin Rama është i qartë dhe shkon në linjën e deklaratës së mëparshme të Bundestagut nga një prej figurave kryesore gjermane Johan Vadeful, i cili ka bërë të qartë se çdo ndryshim i njënashëm i kushtetutës në lidhje me zgjedhjet dhe koalicionet parazgjedhore, do të ketë pasoja për integrimin. Edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe SHBA i kërkuan qeverisë të mos tentojë ndryshimet kushtetuese, pa gjithëpërfshirjen dhe konsensusin e opozitës.