Mendohej se Tirana mund të shpallej kampion sot, por ka ndodhur e kundërta. Kukësi fiton 2-1 në “Selman Stërmasi” dhe rihap garën për titull, pasi diferenca shkon në 6 pikë, kur mbeten edhe 4 ndeshje, me bardheblutë që kanë derbin para. Partizani është ndalur 1-1 në Ballsh nga Bylis.
Tirana ka pretenduar për një penallti në pjesën e parë, por nuk është vlerësuar si e tillë për gjyqtarët, përfshi edhe atë prapa porte që ishte 2 metër larg. Bardheblutë nuk goditën asnjëherë portën në këtë fraksion, ndërsa Kukësi ishte më i rrezikshëm me dy raste të pastra.
Loja e mirë e Kukësit vijon edhe në pjesën e dytë, që kurorëzohet me gol nga Cooper në minutën e 58-të. Tirana nuk arrin të organizohet. Për të ardhur në minutën e 84-t, kur miqtë ndëshkojnë sërish, kësaj here me Et’hemin, që lëshon një parabolë të pakapshme.
Tirana hidhet e tëra në sulm, por goli vjen shumë vonë, në minutën e katërt shtesë me Ngoo. Përfundon 1-2, me Kukësin që mund të besojë verbërisht, natyrisht duke bërë tifo për Partizanin në derbi.
Në ndeshjen tjetër në Ballsh, Ndreca shënoi golin e parë në 18’ nga një goditje dënimi. Portieri Hoxha arrin ta largojë vetëm kur kishte kaluar vijën fatale. Të kuqtë vetëm në fundin e pjesës së parë zgjohen, por Cinari humb një mundësi të artë.
Partizani rriti ndjeshëm lojën në pjesën e dytë, por goli do të vinte vetëm në minutën e 71-të. Trashi kroson bukur në zonë dhe Brown nuk fal. Partizani pati 3 raste të mira më pas për të përmbysur rezultatin, por nuk ia doli. Në fund Bylis mbetet me 10 lojtarë. Një pikë që vlen pak për të dy ekipet.