“Die Walz aus der Pfalz” ose në shqip: Valsi nga Pfalci. Me këtë nofkë e cilësonte media dhe tifozët gjermanë me përkëdheli mesfushorin mbrojtës me aftësi të veçanta dhe tipare fluturake e fuqi prej traktori, me origjinë nga krahina e Pfalcit në jugperëndim të Gjermanisë, Hans-Peter Briegel.
Na shfaqet në këtë foto gjatë Eliminatoreve të Europianit 1984 (që u zhvillua në Francë) në takimin ndaj Kombëtares Kuqezi në Tiranë më 30 mars 1983 në “Qemal Stafa”.
Shumë vite më pas, në periudhën 2002-2006, ai do të rikthehej në “vendin e shqiponjave” në funksionin e Trajnerit të Kombëtares Shqiptare, ku do të njihte dy suksese të mëdha: Fitore ndaj Greqisë, e sapoardhur me staturën e Kampionit Europian dhe atë ndaj Rusisë 3:1, në Shkodër.
Fotoja meriton të hyjë në këtë përvjetor të Tiranës Kryeqytet, në arkivën e këtij qyteti që veç të tjerash është edhe qendra futbollistike e vendit. (Armand Plaka)